Vendosni fjalën kyçe....

NATO do dërgojë të tjera trupa në pjesën lindore të kontinentit


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se mijëra trupa do të vendosen së shpejti në katër vende në Evropën Lindore, duke bërë thirrje që aleanca të forcohet ‘në të gjitha fushat’.

Duke folur përpara samitit të NATO-s të caktuar për në fund të kësaj jave, Stoltenberg u tha gazetarëve të mërkurën se ai pret që vendet anëtare të bien dakord të ‘forcojnë qëndrimin e NATO-s në të gjitha fushat’, duke përfshirë ‘rritje të mëdha të forcave tona në pjesën lindore të aleancës në tokë, ajër e në det’.

“Hapi i parë është vendosja e katër grupeve të reja të NATO-s në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki,” vazhdoi ai.

“Së bashku me forcat tona ekzistuese në vendet baltike dhe Poloni, kjo do të thotë se ne do të kemi tetë grupe luftarake shumëkombëshe të NATO-s në të gjithë krahun lindor, nga Balltiku në Detin e Zi.”

Një grup beteje përbëhet nga 1000 deri në 1500 ushtarë dhe zakonisht përfshin njësi tankesh dhe këmbësorie.