Vendosni fjalën kyçe....

Xi i thotë Johnson-it: Kina do të ketë “rol konstruktiv” për paqen në Ukrainë


Presidenti kinez Xi Jinping i tha kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson se vendi i tij do të luante një “rol konstruktiv” në kthimin e paqes në Ukrainë.

“Xi shpjegoi qëndrimin parimor të Kinës për çështjen e Ukrainës, duke theksuar se komuniteti ndërkombëtar duhet të promovojë me të vërtetë bisedimet e paqes, të krijojë kushte për zgjidhjen politike të çështjes ukrainase dhe të shtyjë për kthimin e Ukrainës në paqe në një datë të hershme. Kina do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në këtë drejtim.”-citohet të ketë thënë Xi sipas artikullit të Xinhua, përcjell CNN.

Kujtojmë se Pekini ka refuzuar të dënojë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por dëshiron të shmangë ndikimin nga sanksionet që janë denoncuar vazhdimisht si një mënyrë joefektive për zgjidhjen e krizës.

Pekini dha mbështetjen e tij të plotë të mërkurën e kaluar për komentet e bëra në fillim të javës nga ambasadori i Kinës në Ukrainë.

“Kina nuk do ta sulmojë kurrë Ukrainën. Ne do të ndihmojmë, veçanërisht ekonomikisht.”– citohet të ketë thënë ambasadori, Fan Xianrong në një njoftim për shtyp.