Vendosni fjalën kyçe....

Turizmi mbetet poshtë niveleve të para-pandemisë


Pavarësisht gjallërimit, Turizmi nuk ka arritur të kapë ende nivelet e parapandemisë në dy muajt e parë të vitit. I ndikuar kryesisht nga rënia e hyrjeve nga Kosova.

Sipas të dhënave të INSTAT për dy muajt e parë të vitit, në vend kanë hyrë për periudhën janar-shkurt 395 mijë shtetas të huaj, me një rritje prej 15% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur vendi kishte lehtësuar kufizimet e pandemisë.

Por në krahasim me 2 mujorin 2019, që deri tani ka qenë viti më i mirë i turizmit, hyrjet janë 5% më të ulëta.

Shtetasit nga Kosova, të cilët mbajnë peshën kryesore të turizmit në periudhën e pandemisë, kanë vijuar të jenë me rënie edhe në shkurt. Për 2 mujorin 2021, hyrjet e tyre ishin 21% më të ulëta se në janar-shkurt 2021 dhe pothuajse në të njëjtin nivel me periudhën e para pandemisë. Vendosja e kriterit për vaksinë dhe test molekular nga qeveria e Kosovës në muajt e parë të vitit ndikoi dhe në frenimin e hyrjeve nga Kosova në Shqipëri, duke dhënë efekt negativ tek turistët.

Rënia e turistëve nga Kosova, në krahasim ne janar-shkurt të një viti më parë, është kompensuar nga hyrjet e shtuara nga Greqia (+332%) dhe Italia (+123%). Hyrjet nga Italia ishin 20% më të larta edhe në raport me periudhën e para-pandemisë, ndërsa nga Greqia mbeten 34% më të ulëta.

Hyrjet e shtetasve nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, që zënë përkatësisht vendin e dytë dhe të tretë pas Kosovës ishin pothuajse në të njëjtat nivele të një vit më parë.

Statistikat

Sipas INSTAT, Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Shkurt 2022, janë 458.951. Krahasuar me Shkurt 2021, ky tregues rezulton me një rritje 27,3%. Në Shkurt 2022, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 200.997. Krahasuar me Shkurt 2021, ky numër është rritur me 27,1%.

Gjatë dy muajve të parë 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja dhe Greqia kanë pasur rritjen më të madhe me nga 4,3 herë, ndërsa Kosova ka pasur rënien më të ndjeshme me 21,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Shkurt 2022, janë 493.899 duke shënuar një rritje me 32,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Shkurt 2022 janë 293.703. Krahasuar me Shkurt 2021, ky numër është rritur me 28,3%. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Shkurt 2022, janë 200,196. Krahasuar me Shkurt 2021, ky numër është rritur me 40,2%.

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë dy muajve të parë të 2022, është 665,623 duke u rritur 33,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al