Vendosni fjalën kyçe....

Mbyllet Spitali Infektiv, Manastirliu: Nis sot të rikonstruktohet, do bëhet një qendër e vërtetë reference për sëmundjet infektive


Mbyllet sot Spitali Infektiv. Sikurse ka bërë me dije ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, këtë të mërkurë ka nisur zbatimi i projektit për rehabilitimin e plotë që synon zgjerimin e kapaciteteve të Spitalit Infektiv në QSUT.

Ministrja Manastirliu, ka inspektuar nga afër fillimin e punimeve.

 “Investimi në Spitalin Infektiv është një investim i cili është planifikuar në kuadër të planit tonë të përgjigjies ndaj pandemisë Covid19 dhe impaktit të saj, por edhe për t’iu përgjigjur emergjencave të tjera, për t’a bërë Spitalin Infektiv një qendër të vërtetë reference për sëmundjet infektive. Janë 5.6 milionë euro që vendosen në dispozicion të këtij investimi nga qeveria shqiptare, me të gjithë pajisjet dhe sistemet e nevojshme që duhet të ketë një spital modern.”– tha ajo.

Mes të tjerash, ministrja vlerësoi rolin e mjekëve në periudhën e pandemisë. Ajo shtoi se qeveria kishte si synim të fuqizonte kapacitetet shëndetësore.

 “Ju keni përballuar një punë voluminoze në këto dy vite. Falë jush, falë parapërgatitjeve në kohë, falë investimeve që janë bërë, i’a kemi dalë që çdo qytetar të marrë shërbim në kohë dhe të mos i mungojë kujdesi shëndetësor. Kemi vullnetin e plotë për të investuar për të sotmen dhe për t’iu përgjigjur edhe çdo situate që mund të lindë nesër apo në vitet në vazhdim, duke fuqizuar kapacitetet tona shëndetësore.”– tha Manastirliu.

Për shkak të punimeve, Manastirliu tha se pacientët e infektuar me koronavirus janë transferuar në spitalin Covid 3 dhe sipas saj janë marrë të gjitha masat për sigurimin e shërbimit për ta.

“Përsa i përket planit të përgjigjes në aspektet e gjithë shërbimit spitalor, tashmë të gjithë pacientët që janë në trajtim, janë transferuar në spitalin Covid 3. Një riorganizim është bërë me drejtorinë e QSUT për të pasur të gjitha materialet, mjetet e nevojshme, në mënyrë që të mos kemi asnjë problematikë për të bërë të gjithë atë trajtim që ndodhte në Spitalin Infektiv.

Përsa i përket numrit të shtretërve në spitalin Covid3 është aktualisht i bollshëm për rastet që kemi aktualisht. Por nëse kemi apo do të kemi në vijim rritje të numrit të rasteve që kërkojnë dhe trajtim spitalor padyshim që skenarët tonë të planit të përgjigjies për këtë periudhë janë të gatshëm, qoftë përsa i përket strukturave spitalore në spitalet rajonale, qoftë përsa i përket strukturës spitalore të spitalit ‘Shefqet Ndroqi’, qoftë përsa i përket strukturës Covid 4.”- tha Manastirliu.