Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka reaguar ashpër pas publikimit të detajeve nga dosja hetimore e SPAK-ut për ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Duke iu referuar të dhënave të Prokurorisë së Posaçme, Shehaj i cilësoi metodat e përdorura për transferimin e parave si skema tronditëse që dëshmojnë korrupsionin galopant në institucionet shtetërore.
Sipas kreut të “Mundësia”, paratë e taksapaguesve shqiptarë nuk përfundonin vetëm në llogari bankare, por qarkullonin fizikisht në mënyra informale për të shmangur kontrollin.
“Paratë e shqiptarëve përfundonin tek drejtoresha, të fshehura në kuti vere. Në një rast, janë zbuluar 200 mijë euro”, deklaroi Shehaj në një postim në rrjetet sociale, duke vënë theksin te shumat e mëdha që dyshohet se janë përfituar përmes ryshfetit.
Shehaj nuk i ka kursyer akuzat edhe ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke rikujtuar mbrojtjen publike që ky i fundit i bëri Karçanajt kohë më parë.
“Imagjinoni sa kanë përfunduar në kutitë e Ramës që u detyrua t’i mbronte publikisht e të na i ‘shiste’ si hallexhinj pa shtëpi”, u shpreh ai, duke hedhur dyshime se skema e korrupsionit mund të shtrihet më lart në hierarkinë qeveritare.
Aktualisht, SPAK ka ndërmarrë masa drastike duke sekuestruar pasuri me vlera marramendëse që dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale të ish-zyrtares. Mes pasurive të sekuestruara figurojnë tre apartamente, truall, një automjet luksoz dhe llogari bankare.
Karçanaj akuzohet si drejtuese e një grupi të strukturuar kriminal që ka abuzuar me fondet e AKSHI-t, duke kthyer shërbimet digjitale në një burim përfitimi personal.
Në mbyllje të reagimit të tij, Shehaj theksoi se kjo dosje është vetëm një pjesë e realitetit të trishtë të qeverisjes, ku “paratë e shqiptarëve përfundojnë në kutitë e verës” së zyrtarëve të korruptuar.
Ai bëri thirrje që drejtësia të shkojë deri në fund për të zbardhur çdo qindarkë të vjedhur nga qytetarët.
