Vendosni fjalën kyçe....

Presidencialet/ Kandidati i së majtës ekstreme në Francë premton uljen e moshës së pensionit, rritjen e pagës e ‘ngrirjen’ e çmimeve


Kandidati presidencial i ekstremit të majtë francez Jean-Luc Melenchon, i cili mund të sfidojë ende një vend në balotazhin vendimtar të zgjedhjeve të prillit, premtoi të dielën të ulë moshën e pensionit, të rrisë pagën minimale dhe të ngrijë çmimet e ushqimeve e karburanteve.

Melenchon, i cili denoncon ekonominë e tregut të lirë dhe në vend të kësaj mbron ndërhyrjen e shtetit në ekonomi për të shpërndarë pasurinë dhe për të garantuar atë që ai e quan një jetë dinjitoze për të gjithë punëtorët, tha në një tubim të fushatës në Paris se do të taksonte rëndë të pasurit.

“Tregu i lirë, siç e shihni, është kaos. Një botë tjetër është e mundur,” u tha Melenchon mijëra mbështetësve në Place de la Republique të kryeqytetit francez.

Melenchon, tani me rreth 13% të mbështetjes në anketat e votuesve krahasuar me 9-10% në janar, është ngjitur në vendin e tretë në garën zgjedhore pas presidentit aktual Emmanuel Macron dhe kandidates të së djathtës ekstreme Marine Le Pen.

Në manifestin e tij të fushatës, Melenchon, një orator i fortë që kandidon për herë të tretë për president, zotohet të vendosë kontrolle mbi lëvizjen e kapitalit, të garantojë vende pune për të papunët afatgjatë dhe një pagë minimale prej 1,400 euro (1,548 dollarë) neto në muaj.

Ai thotë se do të ulë gjithashtu moshën e daljes në pension në 60 nga 62, ndryshe nga Macron që thotë se ajo duhet të rritet në 65 për të ekuilibruar faturën e pensionit.

Melenchon thotë se ai gjithashtu do të tërhiqte Francën nga NATO dhe do të bllokonte marrëveshjet e ardhshme të tregtisë së lirë të Bashkimit Evropian.

Sondazhet parashikojnë se Macron do të mundë Le Pen dhe Melenchon në votimin e raundit të dytë të 24 prillit.