Vendosni fjalën kyçe....

Borrell për protestat: E kuptoj shqetësimin tuaj, rritja e çmimeve në të gjithë botën vjen si pasojë e luftës, jo e sanksioneve


Gjatë vizitës së tij në Tiranë, përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell ka folur për protestën në Tiranë.

Ai u shpreh se e kupton shqetësimin e banorëve po shton se rritja e çmimeve ka ndodhur në të gjithë botën si pasojë e luftës dhe jo e sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë.

Ai dha edhe një shembull se sa kishte shkuar energjia elektrike në banesën e tij në Spanjë.

“E di që ju keni hasur shqetësime mjaft të mëdha për rritjen e çmimeve dhe lufta ka krijuar një ndërprerje shumë të madhe në ekonominë botërore.

Nuk janë pasojat e sanksioneve por është një proces që ka nisur me rritjen e çmimeve më parë të energjisë, naftës, gazit dhe është pasojë e varësisë që ka e gjithë bota dhe po bëhet edhe më e qartë pasi Rusia po e përdor atë si armë.

Kjo nuk është një çështje që ka të bëjë me sanksionet, por pasojë e luftës dhe ndalimit të eksporteve që na prekin të gjithëve. Më lejoni ta ilustroj me një shembull, unë paguaja në Spanjë 50 Euro energji dhe sot paguaj 500 Euro.

Nafta në Bruksel është mbi 2 Euro litri. Kështu ka ndodhur me të gjithë. Këto pasoja do të krijojë valë shoku të mëdha tronditje në ekonominë tonë. Më vjen keq të them se është një fenomen që do të ndikojë te vendet më të varfra. Ata janë të varur nga eksporti i grurit rus, që do të përballen me krize.”– tha Borrell.