Vendosni fjalën kyçe....

Rama: S’ka pasur dhe nuk do ketë protestë më të turpshme se ajo që po ndodh këtu


Kryeministri Rama e ka quajtur protestën që po zhvillohet prej disa ditësh në vend si më të turpshmen.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët nga zyra e tij, kreu i qeverisë tha se nuk do ketë protestë më të turpshme se ajo.

Kryeministri theksoi se në të gjitha vendet protestohet kundër sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe jo për rritjen e çmimeve me të cilat përballet qytetarët në vendet e SHBA-së apo Europës.

“Ka pasur edhe protesta të dhunshme, ka pasur edhe protesta që kanë degraduar në një formë e në një tjetër, por protestë më të turpshme se kjo s’ka pasur edhe as nuk do të ketë ndonjëherë. Për çfarë protestohet sot? Kundër kujt protestohet? Të gjitha vendet që po e përjetojnë me të njëjtin shqetësim kërcimin e çmimeve, por po protestojnë kundër agresionit rus mbi Ukrainën, askush nuk ka protestuar kundër qeverisë së vet. Çdo qeveri mund të ketë 1 mijë arsye për të protestuar kundër saj, por nuk mund të protestohet kundër qeverisë për shkak të pasojave të një lufte që nuk ka nisur kjo qeveri e nuk ndal dot kjo qeveri. “ – tha Rama.