Vendosni fjalën kyçe....

Raporti i pakicës ‘për inceneratorët’ mbeti peng i konfliktit në PD


Një pjesë e deputetëve të opozitës i bashkuan votat me mazhorancën në rrëzimin e raportit përfundimtar të lexuar nga Tabaku – duke reflektuar ndasitë brenda kampit opozitar edhe në çështjen e koncesioneve të inceneratorëve.

Nga Blerina Gjoka

Pas hetimit 4-mujor në Kuvend, raporti i Partisë Demokratike për tre kontratat koncesionare të inceneratorëve u braktis në momentin e votimit nga një pjesë e konsiderueshme e deputetëve opozitarë.

Raporti përfundimtar i pakicës mori 84 vota kundër dhe 27 vota pro, kundrejt raportit të mazhorancës që mori 76 vota pro dhe 34 vota kundër.

Në votimin përfundimtar të zbardhur nga Kuvendi vihet re se pesë deputetë demokratë – mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe tre deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim votuan kundër raportit të pakicës. Mes votave kundër ishte edhe anëtari i komisionit hetimor parlamentar, Belind Këlliçi. Ish-kryeministri Berisha nuk mori pjesë në votim.

Ndërkohë, 28 deputetë të tjerë opozitarë nuk morën pjesë në votim, përfshi edhe anëtarët e komisionit, Ina Zhupa dhe Edmond Spaho.

Hetimi parlamentar i aferës së inceneratorëve ekspozoi një seri shkeljesh ligjore dhe abuzimesh me kontratat koncesionare që llogaritet t’u kushtojnë shqiptarëve rreth 430 milionë euro si dhe dominoi axhendën politike me dëshmitë e zyrtarëve më të lartë të shtetit.

Megjithatë, punimet e këtij komisioni dhe veçanërisht votimi i së enjtes reflektuan gjithashtu përçarjen ekzistuese në kampin e opozitës.

E pyetur nga BIRN për votat kundër të deputetëve demokratë, kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku e quajti këtë ‘një gabim në gjykim”.

“Nuk e besoj dot që pas një pune të përbashkët në komision dhe një pune 6-vjeçare të Partisë Demokratike për të zbardhur këtë aferë korruptive, të kishte deputetë të opozitës që votojnë kundër,” tha Tabaku.

Ndryshe nga Tabaku, Belind Këlliçi – një nga deputetët më aktivë në komisionin hetimor për inceneratorët, i tha BIRN se nuk kishte pasur mundësinë të njihej me raportin e hartuar nga Tabaku.

“Raporti final i opozitës nuk më ishte vënë në dispozicion, u njoha me të vetëm në seancë dhe nuk pata kohën e mjaftueshme,” tha Këlliçi.

Tabaku i hodhi poshtë pretendimet se nuk e kishte ndarë me kolegët raportin përfundimtar, ndërsa shtoi se raporti ishte publikuar në faqen online të Kuvendit që të hënën.

Komisioni hetimor parlamentar doli me dy raporte të kundërta pas një hetimi 4-mujor, ku opozita në 120 faqet e saj që iu bashkangjiten raportit të mazhorancës si “mendim i pakicës” pretendon se ka faktuar të gjitha akuzat e saj fillestare për “grup të strukturuar kriminal”, “skemë korruptive” dhe “pastrim parash” për të paktën 50 zyrtarë shtetërore dhe përfaqësuesit e kompanive që kanë përfituar këto kontrata.

Ndërsa deputetët socialistë i mbrojtën kontratat koncesionare dhe theksuan rolin e tyre në mbrojtjen e mjedisit.

Raporti i mazhorancës doli vetëm në një konkluzion që kishte të bënte me mënyrën e funksionimit të hetimit parlamentar dhe sugjeron ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore.

”Ligji nuk garanton mosshkeljen e parimit të rëndësishëm kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe ky është cedimi më i rëndë e që natyrisht nuk duhet lejuar më të ndodhë nga ligjvënësi, të cilit i propozojmë rishikimin tërësor të ligjit,” thuhet në raport.

Ministra, ish-ministra dhe deputetë të socialistë thanë se këto ishin projekte në shërbim të mjedisit dhe kishin ndryshuar situatën e menaxhimit të mbetjeve në vend, ndërkohë që një ish-ministër gjendet në burg i akuzuar për korrupsion dhe shpërndorim detyre në dhënien e këtyre kontratave.

Socialistët i qëndruan argumentit se “përgjegjësia është individuale” për kolegun e tyre Lefter Koka, ndërsa mbrojtën procedurat e ndjekura nga qeveria si në përputhje me ligjin dhe në shërbim të përmirësimit të situatës mjedisore në vend.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e BIRN