Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, tre ditë më pas


Partia Socialiste ka mundur të fitojë thellë zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në gjashtë bashki të vendit.

Ajo ka fituar pesë nga gjashtë bashkitë në garë (Durrësin, Lushnjën, Dibrën, Rrogozhinën, Vorën) ndërsa ka humbur ngushtë vetëm Shkodrën. Zgjedhjet e 6 marsit ishin në fakt një test për opozitën që prej disa muajsh e sheh veten të ndarë në dy kampe.

Njëri që është PD-ja zyrtare e drejtuar nga Lulzim Basha dhe tjetra ku bëjnë pjesë Komisioni për Rithemelimin e PD-së dhe LSI që në zgjedhje u përfaqësuan së bashku në koalicionin ‘Shtëpia e Lirisë’, ku u bashkua edhe PDK-ja.

‘Shtëpia e Lirisë’ arriti të fitojë një bashki të madhe, Shkodrën, ndërsa u rendit e dyta me diferencë të madhe votash në dy bashki të tjera, Lushnjë e Durrës. Në Dibër Shtëpia e Lirisë u rendit e dyta me shumë pak vota ndaj kandidatit të PD-së ndërsa në Rrogozhinë, selia blu arriti të marrë më shumë vota se ‘Shtëpia e Lirisë’.

Rezultatet e dobëta në zgjedhje kanë shkaktuar jo pak reaksion në selinë blu ku mbrëmjen  e djeshme ka pasur debate të ashpra mes kreut të PD-së Basha dhe një pjese deputetësh të cilët i kanë kërkuar të marrë përgjegjësinë e humbjes dhe të japë dorëheqjen.

Në deklaratën e parë për mediat pas daljes së rezultatit, kryedemokrati Basha ka thënë se nuk ka humbur asnjë garë në jetën e tij dhe se nuk ka ndërmend të largohet por do vijojë misionin për reformimin e thellë të PD-së.

Kryeministri Rama nga ana tjetër ka thënë se PS ka marrë atë që priste në këto zgjedhje, ndërsa Shtëpia e Lirisë është konfirmuar se forca e dytë opozitare në vend përkundrejt thirrjeve të ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, që në disa raste u kërkoi qytetarëve të mos votonin për koalicionin e drejtuar nga ish-kryeministri Berisha.

Të fituar në zgjedhjet e 6 marsit dolën PS-ja qeverisëse e koalicioni ‘Shtëpia e Lirisë’, ndërsa të humbur PD-ja e drejtuar nga Lulzim Basha dhe ambasadorja Yuri Kim me ndërhyrjen e saj të papërshtatshëm në procesin zgjedhor.