Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky gati për disa ‘kompromise’ për Donbasin dhe Krimenë: Duam bisedime, nuk do kapitullojmë


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se është gati për bisedime për disa ‘kompromise’ në lidhje me republikat separatiste në Donetsk dhe Lugansk, si dhe me Krimenë. Ai e bëri deklaratën gjatë javës së dytë të fushatës ushtarake të Rusisë kundër vendit të tij.

Gazetari David Muir e pyeti Zelensky në ABC News nëse ai ishte i gatshëm të pranonte kërkesën e Moskës për njohjen e Krimesë si pjesë e Rusisë dhe dy republikat separatiste të Donbasit si shtete të pavarura.

“Jam gati për dialog. Ne nuk jemi gati për një kapitullim”, tha Zelensky.

Republikat Popullore të Donetskut dhe Luganskut (DPR dhe LPR) u shkëputën nga Ukraina menjëherë pas grushtit të shtetit të vitit 2014 në Kiev. Krimea votoi për të lënë Ukrainën dhe për t’iu bashkuar Rusisë në të njëjtin vit.

Zelensky i quajti të dy shtetet ‘pseudo-republika’ dhe përsëriti qëndrimin e mbajtur prej kohësh të Kievit për t’iu referuar DPR dhe LPR si ‘territore të pushtuara përkohësisht’.

 “Por ne mund ta diskutojmë këtë dhe të gjejmë një kompromis se si mund të ekzistojnë këto territore të okupuara dhe këto republika. Ajo që është e rëndësishme për mua është se si do të jetojnë njerëzit që duan të jenë pjesë e Ukrainës”, tha presidenti.

“Kjo pyetje është më e vështirë sesa thjesht njohja e pavarësisë së tyre. Ky është një tjetër ultimatum. Dhe ne nuk jemi të përgatitur për ultimatume”, shtoi Zelensky.

Zelensky përsëriti se ishte gati për negociata të drejtpërdrejta me homologun e tij rus, Vladimir Putin. “Ajo që duhet bërë është që Putini të fillojë të flasë, të fillojë një dialog”, tha ai.

Rusia sulmoi Ukrainën më 24 shkurt, duke këmbëngulur se ajo po mbronte DPR dhe LPR, si dhe kërkon që Ukraina të shpallet një vend neutral që nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO. Kievi tha se ofensiva ishte plotësisht e pajustifikuar dhe mohoi pretendimet se po planifikonte të rimarrë me forcë republikat rebele.

Rusët dhe ukrainasit kanë mbajtur tre raunde bisedimesh paqeje në Bjellorusi, duke gjetur një bazë të përbashkët për krijimin e kalimeve të sigurta nga qytetet e Ukrainës.