Vendosni fjalën kyçe....

Amryta Capital shet aksionet direkte në Credins Bank, blerësi kryesor është pronari i Arlis-Ndërtim


Kompania e regjistruar në Britaninë e Madhe, Amryta Capital, nuk do të jetë më aksionari më i madh në Credins Bank.

Amryta Capital ka shitur kuotat direkte që zotëronte në kapitalin e Credins dhe që përfaqësonin rreth 6.4% të aksioneve. Ndërkohë, zyrtarisht Amryta Capital vazhdon të mbajë 15.1% të aksioneve, që i kontrollon në mënyrë të tërthortë nëpërmjet shoqërisë së regjistruar në Hollandë BFSE Holding.

Amryta Capital është një shoqëri e regjistruar në Britaninë e Madhe, në pronësi të familjes britaniko-indiane Mehta. Sipas regjistrit të pronarëve përfitues, kontrollues indirekt i kuotave të BFSE Holding është Surekha Mehta.

Blerësi kryesor i kuotave të shitura nga Amryta Capital do të jetë kompania Armaar Group, që zotërohet në masën 100% nga biznesmeni Armand Lilo. Lilo është biznesmen me aktivitet kryesor në sektorin e ndërtimit dhe njihet si pronar i shoqërisë Arlis-Ndërtim. Pjesa tjetër e aksioneve të Amryta Capital janë blerë nga Fatjon Mahmudaj, biznesmen në sektorin bujqësor dhe nga kompania e mobiljeve Shaga.

Sipas ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, ndryshimet e pronësisë në kapitalin aksionar të bankave duhet të miratohen paraprakisht nga Banka e Shqipërisë, vetëm në rastin kur transaksioni prek pjesëmarrjen influencuese. Ligji përkufizon si pjesëmarrje influencuese zotërimin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të së drejtës së pronësisë të një aksionari në masën 10% ose më shumë të kapitalit të personit juridik ose të aksioneve të tij me të drejtë vote, apo në një masë të tillë që krijon mundësi të ndikojë në mënyrë të konsiderueshme në drejtimin apo në politikat e këtij personi juridik.

Me shitjen e kuotave që zotëroheshin në mënyrë direkte nga Amryta Capital, tashmë aksionari kryesor në Credins Bank është rikthyer të jetë biznesmeni Renis Tershana, që zotëron afërsisht 18.2% të aksioneve. Struktura aksionare e Credins Bank ngelet mjaft e diversifikuar dhe kapitali aksionet është i ndarë mes 70 aksionarëve individë dhe kompani.

Credins Bank është banka e dytë më e madhe në Shqipëri. Në fund të vitit 2021, Credins Bank raportonte një total aktivesh prej 282 miliardë lekësh ose më shumë se 2.3 miliardë eurosh. Kjo shifër përbën 15.8% të aktiveve totale të sektorit bankar shqiptar.

Credins është njëkohësisht huadhënësi më i madh në ekonominë shqiptare, me një portofol total prej rreth 123 miliardë lekësh ose pak më shumë se 1 miliardë eurosh.

Mbështetur në të dhënat e paaudituara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, Credins e mbylli vitin 2021 me një fitim neto në vlerën e 1.2 miliardë lekëve ose afërsisht 10 milionë eurosh. Credins raporton një numër prej 57 degësh dhe më shumë se 1000 punonjës. Credins Bank u themelua në janar të vitit 2003, si banka e parë private me kapital shqiptar.

Që nga fundi i vitit 2020, Credins Bank ka zgjeruar aktivitetin e saj edhe në Kosovë, ku aktualisht operon me pesë degë, të vendosura në Prishtinë, Gjakovë, Prizren dhe Ferizaj. /E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor