Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina do dalë e humbur në fund të kësaj historie, po përdoret si mish për top nga SHBA-të, BE-ja e Rusia


Nga Bledar Prifti

Pushtimi rus i Ukrainës duket sikur po hyn në fazën e tij më të keqe. Edhe pse forcat ushtarake ruse duket sikur ndodhen në një gjëndje kaosi dhe konfuzioni, potenciali i tyre për një luftë tokësore dhe ajrore është i frikshëm. Nëse palët arrijnë të zbatojnë një plan për të evakuar popullsinë civile, atëherë lufta do të bëhet frontale, dhe Rusia do të ketë mundësinë që të përdorë forcat e saj ajrore për të shkatërruar dhe rrafshuar çdo qytet ukrainas. Ndërkaq, Bashkimi Europian (BE), NATO, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA-së) do të vazhdojnë të bëjnë rolin e tifozit ukrainas pa mundur të ndërmarrin ndonjë aksion direkt kundër makinerisë ruse të luftës.

E përballur me këtë situatë dëshpëruese, forcat ushtarake ukrainase me shumë gjasa do të shtyjnë me sa të mundin evakuimin e popullsisë civile duke shpresuar në një zgjidhje paqësore të cështjes përmes negociatave. Por edhe në këtë rast, një tërësi faktorësh diplomatikë dhe gjeostrategjikë e bëjnë situatën edhe më të pashpresë për ukrainasit. (1) Injorimi nga perëndimi në mënyrë të vazhdueshme i kërcënimeve ruse në lidhje me anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe BE, (2) lehtësia më të cilën Rusia mund të projektojë fuqinë e saj ushtarake mbi Ukrainën, (3) interesi i lartë gjeostrategjik që Rusia ka në këtë shtet, (4) mungesa e një interesi të tillë gjeostrategjik në perëndim, dhe (5) pamundësia e NATO-s dhe SHBA-së për të ndërhyrë ushtarakisht, i japin Vladimir Putinit superioritet për të vendosur kushtet e marëveshjes, e cila duket se nuk do të vonojë për shumë kohë.

Në mënyrë të vazhdueshme gjatë më shumë se dy dekadave të fundit, Rusia e ka paralajmëruar BE-në dhe SHBA-të se zgjerimi i NATO-s dhe i BE-së për të përfshirë edhe Ukrainën është një veprim i patolerueshëm dhe i panegociueshëm për palën ruse. Shumë ekspertë amerikanë, përfshirë këtu ish Ambasadorin e SHBA-së në Bashkimin Sovietik, George F. Kennan, ish Sekretarin e Shtetit, Henry A. Kissinger, linguisti dhe filosofi Noam Chomsky, dhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, John J. Mearsheimer, në mënyrë të vazhdueshme kanë paralajmëruar qeverinë amerikane se një tentativë për ta bërë Ukrainën pjesë të NATO-s do të çonte në pushtimin e saj nga Rusia.

Gjithashtu, që nga viti 2008, raportet e shumë zyrtarëve të Departamentit të Shtetit dhe të agjensive të inteligjencës amerikane theksonin rrezikun e një pushtimi të mundshëm rus të Ukrainës nëse kjo e fundit do të vazhdonte ambicjet e saj për t’iu bashkuar NATO-s. Edhe gazeta e famshme The Washington Post argumentonte se si ndihma amerikane për Ukrainën mund ta shtynte Putinin të pushtonte Ukrainën. Por pavarësisht gjithë këtyre paralajmërimeve, duke qënë të vetëdijshëm për pasojat, BE dhe SHBA vazhduan të joshnin Ukrainën drejt NATO dhe BE.

Ajo që e bënë situatën edhe më të rrezikshme sot është fakti që edhe pas injorimit të shqetësimeve ruse dhe të pushtimit prej saj të Ukrainës, BE dhe SHBA kanë vazhduar të mbajnë një pozicion të çuditshëm. Nga njëra anë, ato furnizojnë me armë ushtrinë ukrainase kurse nga ana tjetër furnizojnë me para makinerinë luftarake ruse përmes importit të naftës dhe gazit rus. Është për t’u theksuar fakti se vetëm SHBA aktualisht importon nga Rusia mbi 670 mijë fuci nafte në ditë. Nga ana tjetër, Europa vazhdon t’i dërgojë Rusisë qindra miliona dollarë në ditë përmes importit të naftës dhe gazit rus, i cili përmbush afro 40% të nevojave europiane.

Gjithashtu, si BE edhe SHBA në formë të prerë deklarojnë se nuk do të ketë një ndërhyrje ushtarake nga ana e tyre kundër Rusisë pavarësisht asaj që mund të ndodhë në Ukrainë. Këto deklarata të përsëritura, fatkeqësisht, janë sa absurde po aq edhe të rrezikshme pasi nga njëra anë ato demoralizojnë forcat ukrainase kurse nga ana tjetër ato motivojnë avancimin e forcave ruse.

Nuk ka dyshim që ky qëndrim i BE dhe SHBA është i kondicionuar edhe nga pamundësia për t’u përballur me Rusinë si një shtet me fuqi bërthamore, por gjithashtu edhe nga mungesa e interesave gjeostrategjike të këtyre vendeve në Ukrainë. Presidenti Obama ishte shumë i qartë në një intervistë të dhënë para disa vitesh kur ai deklaroi se Ukraina është me një rëndësi të vecantë gjeostrategjike për Rusinë dhe se SHBA nuk duhet të rrezikojnë një luftë në lidhje me këtë cështje. Nëse SHBA do të kishte interesa gjeostrategjike në Ukrainë, ajo nuk do të nguronte të shkonte drejtë një lufte bërthamore ashtu siç ajo bëri edhe në rastin e Krizës së Raketave ruse në Kubë në vitin 1962.

 

Por kjo nuk do të thotë që Rusia mund të bëjë ç’të dojë në Ukrainë dhe rajon. Vladimir Putin është i vetëdijshëm në lidhje me limitet e potencialit ekonomik dhe ushtarak rus. Ai e kupton fare mirë që pushtimi dhe aneksimi total i Ukrainës është i pamundur dhe se një përplasje me NATO-n mund të rezultojë shkatërruese për Rusinë. Putin gjithashtu e kupton fare mirë se nuk mund të rrezikojë shumë me SHBA-të, shtetin të cilin ai e pranon si të vetmen superfuqi në botë, edhe pse që të dy kanë një interes të përbashkët afatgjatë për të bashkëpunuar për të ndaluar ekspansionin kinez në rajon dhe më gjerë.

Siç e përmenda edhe më sipër, (1) injorimi i shqetësimeve ruse në lidhje me aspiratat e Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe BE, (2) lehtësia me të cilën Rusia mund të projektojë fuqinë e saj ushtarake kundër Ukrainës, (3) rëndësia gjeostrategjike që kjo e fundit ka për Rusinë, (4) mungesa e një interesi gjeostrategjik dhe (5) pamundësia e BE-së dhe SHBA-së për të ndërhyrë në Ukrainë favorizojnë Rusinë si fitimtarja më e mundshme e kësaj lufte në aspektin afatgjatë.

Putin me shumë gjasa do të marrë përmes negociatave më shumë nga c’ka ai kërkonte përpara luftës. Së pari, ai do të arrijë të zëvendësojë me sukses qeverinë aktuale ukrainase me një qeveri neutrale ose pro-ruse. Por duhet theksuar gjithashtu se Putin do të ishte i lumtur edhe me një qeveri neutrale. Së dyti, ai do të arrijë të bindë BE dhe SHBA të carmatosë Ukrainën duke e bërë atë të padëmshme ushtarakisht në të ardhmen dhe si një zonë ndarëse midis NATO-s dhe Rusisë. Së treti, ai do të kërkojë aneksimin e krahinave separatiste të Krimesë dhe Donbasit. Duhet theksuar edhe në këtë pikë se kjo do të jetë një kërkesë e re të cilën Russia mund ta negociojë, por për të cilën ajo nuk do të hidhte poshtë dy pikat e mësipërme. Rusia do të ngelej e kënaqur thjesht me një pavarësi de facto përkundër asaj de jure të dy rajoneve separatiste. Për ta “ëmbëlsuar” sadopak marëveshjen, Rusia mund të propozojë ose do të pranojë rindërtimin dhe ringritjen ekonomike të Ukrainës përmes ndihmës ruse dhe asaj perëndimore, një tip Plani Marshall për Ukrainën.

Nga ana tjetër, BE dhe SHBA, ndonëse nuk do të kenë asnjë humbje gjeostrategjike, do të jenë humbësit më të mëdhenj moralë të kësaj lufte në sytë e ukrainasve dhe të mbarë komunitetit ndërkombëtar. Ato kishin në dorë ta shmangnin këtë luftë, por në mënyë të vazhdueshme ato injoruan jo vetëm shqetësimet ruse por edhe paralajmërimet e bëra nga ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare si edhe nga zyrtarët e qeverisë amerikane në lidhje më rrezikun e joshjes së Ukrainës për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe BE-së. Të verbuar nga ideali i tyre liberal për të përhapur demokracinë në Europën Lindore dhe për t’i shërbyer grupeve të interesit me bazë në Washington, D.C., BE dhe SHBA e përdorën Ukrainën, me ose pa vetëdije, si karem për të avancuar interesat e tyre dhe për të dobësuar influencën ruse në rajon.

Ndryshe nga dy të parët, Ukraina do të jetë humbësi më i madh i kësaj lufte si nga aspekti humanitar po ashtu edhe nga ai ekonomik dhe kombëtar. Deri më tani, qindra civilë të pafajshëm dhe ushtarë ukrainas janë vrarë gjatë luftimeve. Miliona të tjerë janë shpërngulur forcërisht duke braktisur shtëpitë e tyre, qytetet, dhe vendin. Qytete të tërë janë shkatërruar dhe shndërruar në fantazëm si pasojë e bombardimeve ruse. Për më shumë, Ukraina rrezikon të shndërrohet në një shtet jofunksional me një territor të gjymtuar. Shumë shpejt, pasi të ketë kaluar vala e ethshme e nacionalizmit dhe pasi arsyeja të ketë zëvendësuar pasionin, Ukraina do ta kuptojë se në këtë betejë midis dy fuqive të mëdha, ajo u përdor si “mish për top” për të kënaqur egon dhe epshin e tyre. Historia na tregon se ajo nuk është as e para dhe as e fundit.

 VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Babel.al

*Dr. Bledar Prifti është Profesor i Asociuar i Shkencave Politike në Kolegjin e Shën Petersburgut, Florida, USA, dhe pedagog i jashtëm i Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin e Floridës Jugore.