Vendosni fjalën kyçe....

Lideri çeçen i bën thirrje Putinit: Nëse do pushtim të shpejtë të Ukrainës dërgo luftëtarët e mi


Nëse presidenti rus Vladimir Putin dëshiron t’i japë fund të shpejtë operacionit ushtarak në Ukrainë, ai duhet t’u japë trupave çeçene ‘dritën jeshile’ për të kapur qytetet kryesore të vendit të Evropës Lindore, ka pohuar lideri i Çeçenisë.

Në një deklaratë të premten, Ramzan Kadyrov kërkoi që ushtarëve çeçenë t’u jepet ‘drita jeshile’ për të pushtuar qytetet në të gjithë Ukrainën.

“Jepuni urdhër luftëtarëve tanë që të kapin Kharkovin, Kievin dhe të gjitha qytetet e tjera shpejt, saktë dhe me efikasitet,” këmbënguli ai.

“Shoku President, Shoku Komandant Suprem, unë kam thënë më shumë se një herë se jam këmbësoria juaj, jam gati të jap jetën time për ju,” këmbënguli Kadyrov.

“Por unë nuk mund të shikoj se si po vdesin luftëtarët tanë. Të lutem të mbyllësh një sy për çdo gjë dhe le të përfundojnë brenda një ose dy ditësh çfarë po ndodh atje.” – shtoi ai.

“Unë kërkoj nga ju që t’u jepni luftëtarëve tanë mundësinë për të provuar veten në maksimum, për t’u dhënë atyre mundësinë që të përdorin të gjithë forcën e tyre të mundshme dhe të pamundur për ta përfunduar këtë njëherë e përgjithmonë,” u lut ai.

Në përgjigje të kërkesës së Kadyrov, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Putini po shqyrtonte të gjitha mundësitë kur bëhej fjalë për fushatën ushtarake të Rusisë në Ukrainë.

“Nuk është kompetenca ime të komentoj çështjet e artit ushtarak. Komandanti i Përgjithshëm merr informacion, duke përfshirë edhe propozime të tilla. Dhe i takon atij të vendosë se si do të kryejë operacionin special”, tha ai.

Kadyrov kishte deklaruar më parë se Çeçenia ishte e gatshme të dërgonte vullnetarë nga rajoni në zonat më të rrezikshme luftarake të Ukrainës për të luftuar krah për krah me ushtrinë ruse. Sipas kreut të republikës, aktualisht ka 12,000 trupa çeçene në vendin e Evropës Lindore.