Vendosni fjalën kyçe....

SHBA dëbon 12 punonjës të misionit diplomatik rus në OKB


Marrëdhëniet diplomatike SHBA-Rusi janë përkeqësuar më tej, pasi Uashingtoni urdhëroi dëbimin e 12 punonjësve që punojnë në misionin e Moskës në Kombet e Bashkuara në Nju Jork të hënën.

Vassily Nebenzia, ambasadori i Rusisë në OKB, ndërpreu një konferencë për shtyp të hënën pasi zyra e tij e njoftoi atë për dëbimet.

Ai tha se zyrtarët amerikanë kishin dorëzuar një letër ku thuhej se 12 diplomatë rusë ishin shpallur persona ‘non grata’ dhe do të duhej të largoheshin nga vendi deri më 7 mars.

“Autoritetet amerikane kanë ndërmarrë një tjetër veprim armiqësor kundër misionit rus në Kombet e Bashkuara, duke shkelur rëndë angazhimet e marrëveshjes së vendit pritës që ata kanë marrë”, tha Nebenzia.

Njoftimi erdhi më pak se një javë pasi Uashingtoni dëboi diplomatin e rangut të dytë në ambasadën e Moskës në Uashington, Sergej Trepelkov.

Departamenti Amerikan i Shtetit ia atribuoi këtë lëvizje dëbimit ‘të paprovokuar’ nga ana e Rusisë të zëvendësshefit të misionit nga ambasada e Uashingtonit në Moskë.

SHBA dëboi 27 diplomatë rusë dhe familjet e tyre në fund të vitit të kaluar, duke kërkuar që ata të largoheshin nga vendi deri më 30 janar.