Vendosni fjalën kyçe....

Berisha thirrje kandidatit të PD-së në Shkodër, Xhemal Bushatit: Bashkohu me ne, mos përfaqëso pengun


Ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet sot në Shkodër për të prezantuar Bardh Spahinë, si kandidat për zgjedhjet e pjesshme lokale që mbahen në 6 mars.

Gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri i bëri thirrje kandidatit të Partisë Demokratike, Xhemal Bushatit që të bashkohet me kandidatin e tij, që sipas tij përfaqëson opozitën e vërtetë.

Ndër të tjera gjatë fjalës së tij, Berisha tha se Edi Rama njësoj si etërit e tij e shikon veriun e vendit me armiqësi.

“Edi Rama ndjek praktikat e vjetra. Etërit e tij i deklaronin zonat e veriut armiqësore dhe ky vazhdon me atë mentalitet. Por ana tjetër pozitive është se Shkodrën nuk e mashtroi dot kurrë ai. le të përpiqet të thotë se erdha kur u hap kisha në një kohë kur treni vinte tre orë më vonë, por fatmirësisht Shkodra ka një të mirë se rrenat nuk ia beson kujt.

Ka një kandidat tjetër. kandidati tjetër është një aktivist i PD-së dhe ne nuk i mohojmë asnjë meritë dhe kontribut. Por unë shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje atij dhe mbështetësve të tij të bashkohen me kandidatin e opozitës së vërtetë. Lulzim Bashën nuk e braktisi Shkodra dhe Shqipëria pa arsye. Ju i shikoni poll-et se ku ka rënë. Po të bëhen me anëtarësinë nuk del gjëkundi. Thirrja ime është për zotin Bushati të mos pranojë të përfaqësojë një njeri që përfaqëson një peng. E ftoj zotin Bushati dhe të gjithë dmeokratët që të bashkohen, të ulen dhe të diskutojnë me Bardh Spahinë.”– tha Berisha.