Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi nxjerr dokumentet: Klodian Zoto ka kryer 25 milionë dollarë evazion fiskal përmes këtyre kompanive


Kryetarja e LSI-së ka deklaruar se shqiptarët presin drejtësi për tre skemat korruptive të inceneratorëve.

Përmes një shënimi në Facebook, Kryemadhi thekson se taksat e shqiptarëe për tre koncesionet kanë shkuar në xhepat e qeveritarëve me anë skemash evazioni fiskal në vlera milion euro.

Ajo ka publikuar një grup fotosh ku tregohen disa persona të cilët janë pronarë të kompanive që kanë kryer evazion fiskal përmes marrëdhënieve financiare me kompaninë ITS të Klodian Zotos.

Kryetarja e LSI-së shton se nga 100 milionë dollarë që shteti shqiptar ka paguar deri tani 53 milionë dollarë.

Në fund Kryemadhi shkruan se përmes kompanive të shënuara në shkrim është kryer evazion fiskal në vlerën 25 milionë dollarë.

“Të gjithë shqiptarët presin drejtësi për 3 skemat korruptive të inceneratorëve. Pagesat nga taksat e shqiptarëve për këto 3 koncesione, kanë shkuar në xhepat e qeverisë dhe për të realizuar skema evazioni fiskal në vlera miliona euro. Të dashur qytetarë, prokurorë, e ndërkombëtarë që na keni ndihmuar për realizimin e reformës në drejtësi, ju ftoj të shikoni fotot e mëposhtme. Ato tregojnë kompanitë që kanë kryer evazion fiskal duke zhvilluar marrëdhënie financiare me ITS e Klodian Zoto. ITS e cila, nga 100 milionë dollarë që shteti shqiptar ka paguar deri tani për të 3 inceneratorët, ka përfituar 53 milionë dollarë në bankë, dhe për të justifikuar kostot e fryra e për të përfituar TVSH, ka kryer me këto kompani evazion fiskal në vlerën e 25 milionë dollarëve.” – shkruan Kryemadhi.