Vendosni fjalën kyçe....

Kosova i vendos sanksione Rusisë


Qeveria e Kosovës ka miratuar në mënyrë unanime sanksionet e saj kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këto sanksione janë marrë duke bashkëpunuar me NATO-n dhe SHBA-në.

Qeveria e Kosovës ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pas invazionit në Ukrainë.

Kështu u mor vendim gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se nuk është kjo hera e parë që Kosova i vë sanksione Rusisë.

Kurti ka thënë se këto sanksione janë marrë duke iu bashkëngjitur vendeve partnerë, si SHBA-ja dhe BE-ja.

“Sot ditën po e fillojmë duke iu bashkëngjitur partnerëve tanë, në kundërpërgjigje ndaj agresionit ushtarak të Rusisë duke miratuar një pako të sanksione ndaj saj. Nuk është hera e parë që Kosova i vë sanksione federatës ruse. Kjo Rusi që po shohim sot nuk është një Rusi e re dhe një paralajmërim se nuk dëshiron të jetë një Rusi e re. Prandaj përgjigja e botës perëndimore dhe demokratike duhet të jetë e unifikuar dhe e vendosur. Reagimi jonë i menjëhershëm dhe i parezervë ndaj pushtimit të Ukrainës nga Rusia duhet të lexohet edhe si mesazh i qartë i orientimit politik dhe diplomatik”, ka thënë Kurti në fjalën e tij para kabinetit qeveritar.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se sanksionet përfshijnë sanksionet ekonomike dhe financiare të vendosura nga Këshilli i BE-së, dhe SHBA-ja, derisa ato përfshijnë ngrirjen e aseteve të bankave ruse dhe ndalimin e transitit të individëve rus në vendet që i zbatojnë sanksionet.

“Sanksionet ekonomike dhe financiare nga këshilli i BE-së dhe SHBA-ja: Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve të bankave, institucioneve financiare dhe individëve, ndalimi i qasjes së tyre në tregje financiare dhe masa të tjera restriktive që shenjtërojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elitat dhe aktoret politike të përfshirë në marrjen e vendimit për invadimin rus në Ukrainë. Individët gjithashtu do t’i nënshtrohen ndalimit të udhëtimit apo transitit në vendet që i zbatojnë këto sanksione”.

Deri tani SHBA-ja, Britania dhe BE-ja kanë prezantuar sanksionet e tyre kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Në ndërkohë, presidenti i SHBA, Joe Biden mbajti një fjalim dje mbi situatën në Ukrainë, ku dënoi Rusinë për fillimin e sulmit ushtarak të enjten dhe njoftoi sanksione të reja të forta dhe kufizime për atë që mund të eksportohet në Rusi.

“Kjo do të imponojë kosto të rënda në ekonominë ruse, si menjëherë ashtu edhe me kalimin e kohës. Ne i kemi projektuar qëllimisht këto sanksione për të maksimizuar një ndikim afatgjatë mbi Rusinë dhe për të minimizuar ndikimin mbi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë,” tha ai.

Shtetet e Bashkuara nuk po e bëjnë këtë të vetme, tha ai, duke shtuar se 27 anëtarët e BE-së dhe anëtarët e G7 do të marrin pjesë në këto sanksione.

Këtu janë sanksionet që ai shpalli: Kufizoni aftësitë e Rusisë për të bërë biznes në dollarë, euro, paund dhe jen për të qenë pjesë e ekonomisë globale. Ndaloni aftësinë për të financuar dhe rritur ushtrinë ruse.

Dëmtoni aftësinë e tyre për të konkurruar në ekonominë e shekullit të 21-të të teknologjisë së lartë.

SHBA sanksionoi bankat ruse që së bashku mbajnë rreth 1 trilion dollarë aktive.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor