Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Projekti i tanishëm i Skavicës ‘varros’ një pjesë të rëndësishme të Dibrës, duhet kundërshtuar


Ish-kryeministri Berisha ka thënë se projekti për hidrocentralin e Skavicës në Dibër duhet të kundërshtohet.

Gjatë prezantimit të kandidatit Premtim Kryemadhi për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, ai tha se projekti në fjalë përmbyt tokat pjellore dhe çon në zhvendosjen e fshatrave.

Ai tha se gjatë qeverisjes së tij janë firmosur mbi 400 kontrata për hidrocentrale po asnjëri prej tyre nuk ka përmbytur toka e ka zhvendosur fshatra.

“Ekziston një projekt, ai i Skavicës, që ne e kundërshtojmë. Ne nuk jemi për përmbytjen e tokave pjellore dhe për zhvendosjen e fshatrave. Ne kemi firmosur mbi 400 kontrata për hidrocentrale, asnjë prej tyre me zhvendosje fshati. Apo me përmbytje tokash të rëndësishme bujqësore. Nëse kemi diçka me pakicë, kemi tokën ne. Ne jemi vendi me më pak tokë për frymë në Europë. Ne nuk mund të mbysim. Të marrësh përsipër të përmbysësh Dibrën, kjo është e dënueshme dhe e papranueshme në çdo aspekt.” – tha Berisha.

Ai iu përgjigj edhe ministrit të Drejtësisë Manja pas debatit në parlament ditën e djeshme duke thënë se nuk është kundër investimeve amerikane në vend po kundër çdo projekti që përmbyt sipërfaqe të mëdha toke.

“Dje më thoshte Ulsiu se jam kundër investimeve amerikane. Ajo kompani që ka marrë Skavicën, ka ndërtuar Rrugën e Kombit me tender të hapur ndërkombëtar në Londër. Kanë marrë pjesë 7 kompani dhe janë vlerësuar nga juri ndërkombëtare. Po kjo kompani mori pjesë në tenderin për Rrugën e Elbasanit, por doli e katërta. Ai hidrocentral nuk mund të pranohet pasi përmbyt fusha shumë të mira prodhuese dhe fshatra të Peshkopisë. Edhe deputetët e Lul Bravës nuk ngrihen kundër në parlament se nuk i lë ai. Prandaj thirrja ime për dibranët është që të ngriheni dhe nuk është aspak e vërtetë që kjo po bëhet se është investim amerikan. Ai është investim me taksat e shqiptarëve. Por duhet të arsyetojmë se ai projekt e varros një pjesë qenësore të Dibrës dhe ne nuk mund ta lejojmë.” – tha Berisha.