Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania anulon certifikimin e gazsjellësit rus ‘Nord Stream 2’


Gjermania do ndalojë menjëherë certifikimin e gazsjellësit ‘Nord Stream 2’ të mbështetur nga Rusia, ka njoftuar kancelari Scholz, pasi Moska njohu dy rajonet separatiste të Donbasit, Donetskun e Luganskun.

Në një deklaratë të lëshuar të martën, Scholz tha se nuk mund të jepet drita jeshile që tubacioni të fillojë të pompojë furnizime me gaz teksa Rusia e Ukraina janë të përfshira në tensionet e fundit.

“Duke pasur parasysh veprimin e fundit të Rusisë, certifikimi nuk mund të vazhdojë”, u tha Scholz gazetarëve.

“Kjo ka të bëjë me marrjen e hapave konkretë në lidhje me situatën që kemi parë tani.” – shtoi kancelari.

Vetëm disa orë më parë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri thirrje Evropës që të pezullojë tubacionin e gazit ‘menjëherë’ pasi Moska nënshkroi një marrëveshje që njeh dy republikat separatiste të Donbass në Donetsk dhe Lugansk.

Ndërtimi i tubacionit, i cili synon të lidhë fushat e gazit të Siberisë me konsumatorët në Evropën Perëndimore nëpërmjet një porti në Gjermaninë Veriore, përfundoi vitin e kaluar. Megjithatë, ajo ka pritur miratimin nga rregullatorët e Berlinit për të filluar funksionimin.

Javën e kaluar, kryeministri ukrainas Denis Shmygal tha se vonesat në miratimin e tij ishin për shkak të përpjekjeve lobuese të Kievit.

“Sot, ne po bllokojmë me sukses armën hibride ruse të gazit Nord Stream 2 dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë,” pohoi ai.

Uashingtoni ka thënë më parë se Nord Stream është një ‘kërcënim’ dhe ka vendosur sanksione ndaj kompanive të përfshira në ndërtim. Megjithatë, Gjermania vazhdoi të mbështeste projektin pavarësisht kundërshtimeve nga Ukraina, SHBA dhe vende të tjera, duke përfshirë Poloninë dhe shtetet baltike.