Vendosni fjalën kyçe....

Tensione te 5 Maji, banorët që mbrojnë shtëpitë përplasen me policinë (Foto/Video)


Tensione të larta e përplasje vijon të ketë në zonën e 5 Majit ku qindra banorë po përplasen me policinë që shoqëron fadromat e IKMT-së në prishjen e banesave në zonë.

Që në orët e para të mëngjesit, dhjetëra forca policie e punonjës të IKMT-së kanë shkuar në zonë dhe kanë rrethuar territorin ku sot është parashikuar që të prishen 12 banesa.

Qytetarët janë organizuar me njëri-tjetrin për të mundësuar mbrojten e banesave të tyre, po fadromat kanë mundur të futen në territorin e synuar dhe kanë nisur të prishin shtëpitë e qytetarëve një nga një.

 

Fillimisht qytetarët janë përpjekur të organizojnë një mur mbrojtës me trupat e tyre po teksa fadromat kanë përparuar të shoqëruara nga forcat e policisë, ata janë përpjekur t’i ndalojnë duke qëlluar me gurë e sende të tjera efektivët.

 

Raportohet se këta të fundit janë kundërpërgjigjur duke hedhur gaz lotsjellës ndaj banorëve. Këta të fundit bashkë me banorët e Laprakës dhe Paskuqanit protestojnë prej disa javësh kundër prishjes së banesave që i kap Unaza e Madhe ose projekti i rindërtimit në zonën e 5 Majit.

Ata i kanë kërkuar qeverisë e bashkisë që të ulet e të bisedojë me ta për gjetjen e një zgjidhjeje duke theksuar se nuk u besojnë fjalëve po kërkojnë dokumente të rregullta për dëmshpërblimin e pronës së tyre.

 

Banorët kanë organizuar disa protesta para parlamentit e në një rast tre gra nga zona e 5 Majit janë takuar me kryeministin Rama në Kuvend po pas daljes nga takimit kanë deklaruar se nuk kishin arritur asnjë dakordësi me të.

Qeveria e bashkia nga ana e tyre kanë deklaruar se të gjithë ata që do u preket prona do marrin shtëpi dhe askush nuk do lihet jashtë. Por banorët kanë thënë se nuk kërkojnë banesa sociale dhe se nuk kanë asnjë siguri se qeveria e bashkia do e mbajnë premtimin.

*Video Credit: Syri