Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohen dy persona në Tiranë, dyshohet se vinin baste sportive me celular


Dy persona janë arrestuar në Tiranë që dyshohet se organizonin lojëra fati të paligjshme. Në pranga kanë rënë 34-vjeçari A.A. e 50-vjeçari A.B.

Ata janë kapur në dy lokale të ndryshme në rrugën ‘Hamdi Cenoimeri’ e ‘Llambi Bonata’ në Kombinat.

Sipas policisë, ata dyshohet se ushtronin lojëra të paligjshme fati me anë të celularëve, të cilët janë sekuestruar.

Njoftimi

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Last Chance”.

Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 6, për goditjen e aktivitetit të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Goditen 2 raste të organizimit të lotarive të palejuara, arrestohen në flagrancë 2 shtetas.

Sekuestrohen 2 aparate celulare që dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, bazuar në informacionet e marra në rrugë policore, se dy shtetas ushtronin aktivitetin e paligjshëm të lotarive të palejuara nëpërmjet aparateve celulare, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Last Chance”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– A. A., 34 vjeç, dhe A. B., 50 vjeç, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, këta shtetas u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet lotarive sportive, në dy lokale të ndryshme, konkretisht A. A., klient në një lokal në rrugën “Hamdi Cenoimeri” dhe A. B., klient në një lokal në rrugën “Llambi Bonata”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy aparate celulare që dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.”