Vendosni fjalën kyçe....

Biden i bindur: Rusia do të sulmojë Ukrainën në ditët e ardhshme


Presidenti amerikan Joe Biden ka paralajmëruar këtë të enjte se një sulm ndaj Ukrainës mund të fillojë në ditët në vijim nga Rusia.

Ai ka akuzuar Moskën se mund të organizojë ngjarje me qëllim për të krijuar një pretekst për luftë.

I pyetur nga gazetari Jeremy Diamond i CNN-it se sa i lartë është niveli i kërcënimit për një pushtim rus të Ukrainës, Biden u përgjigj: ”Është shumë i lartë”.

“Është shumë i lartë sepse ata nuk kanë lëvizur asnjë nga trupat e tyre.”- vijoi ai, citon CNN.

“Ata kanë futur më shumë trupa brenda, e para. Së dyti, ne kemi arsye të besojmë se ata janë të përfshirë në një operacion për të krijuar një justifikim për të hyrë brenda. Çdo tregues që kemi është se ata janë të përgatitur të shkojnë në Ukrainë, të sulmojnë Ukrainën.”- tha Biden.

Biden ka parashikuar edhe më parë se mund të ketë një pushtim të Ukrainës nga Rusia, por më parë është shprehur se Putini nuk e kishte vendosur. Sot ai duket më i sigurtë lidhur me këtë. Kjo deklaratë e Bidenit vjen një ditë pasi zyrtarët amerikanë thanë se 7 mijë trupa të tjera ruse kanë mbërritur pranë Ukrainës, duke kundërshtuar pretendimet e mëparshme të Rusisë për një tërheqje.

I pyetur nëse ai beson se një sulm do të ndodhë me të vërtetë dhe se kur, Biden tha: “Po. Mendimi im është se do të ndodhë në ditët e ardhshme.”