Vendosni fjalën kyçe....

Rusia dëbon zëvendësambasadorin amerikan, Bart Gorman


Rusia ka dëbuar zëvendësambasadorin e SHBA në Moskë, Bart Gorman. Të paktën kështu raporton agjencia e lajmeve ruse RIA Novosti, duke cituar zëdhënësin e misionit diplomatik Jason Rebholtz.

“Rusia dëboi Zëvendës Shefin e Misionit (DCM) në Rusi, Bart Gorman. Gorman ishte zyrtari i dytë më i rëndësishëm në Ambasadën e SHBA-ve në Moskë pas ambasadorit dhe një anëtar kyç i udhëheqjes së lartë të ambasadës.”- tha Rebholtz.

Zëdhënësi i ambasadës i tha agjencisë se Gorman kishte një vizë të vlefshme dhe kishte qenë në Rusi për më pak se tre vjet.

Ai shtoi se Uashingtoni e konsideron dëbimin e diplomatit një “hap përshkallëzues” të situatës dhe po shqyrton mundësinë e masave hakmarrëse.

Ky lajm vjen mes tensioneve të vazhdueshme midis Perëndimit dhe Rusisë mbi Ukrainën. Moska akuzohet nga Perëndimi se po planifikon pushtimin e Ukrainës, një pretendim që Kremlini e ka hedhur poshtë.