Vendosni fjalën kyçe....

Ka shpresë, shërohet gruaja e parë në botë nga virusi HIV


Një paciente amerikane besohet të jetë personi i tretë në botë si dhe gruaja e parë që shërohet nga virusi HIV.

Siç shkruan BBC, pacientja po trajtohej për leuçemi kur ajo mori një transplant të qelizave staminale nga dikush me rezistencë natyrale ndaj virusit që shkakton AIDS.

Gruaja tani është e lirë nga virusi për 14 muaj.

Por ekspertët thonë se metoda e përdorur e transplantit, është shumë e rrezikshme për të qenë e përshtatshme për shumicën e njerëzve me HIV, megjithatë në këtë rast rezultoi me sukses.

Rasti i pacientes u prezantua në një konferencë mjekësore në Denver të martën dhe është hera e parë që dihet se kjo metodë është përdorur si një kurë funksionale për HIV-in.

Pacientja mori një transplant të gjakut të kordonit të kërthizës si pjesë e trajtimit të saj ndaj kancerit dhe që atëherë nuk ka pasur nevojë të marrë terapinë antiretrovirale të nevojshme për trajtimin e virusit HIV.

Rasti ishte pjesë e një studimi të madh amerikan të njerëzve që jetonin me HIV, të cilët kishin marrë të njëjtin lloj transplanti gjaku për të trajtuar kancerin dhe sëmundjet e rënda. Qelizat e transplantuara të përzgjedhura kanë një mutacion gjenetik specifik që do të thotë se ato nuk mund të infektohen nga virusi HIV.

Shkencëtarët besojnë se sistemi imunitar i marrësve të këtyre qelizave mund të zhvillojë rezistencë ndaj HIV-it si rezultat.