Vendosni fjalën kyçe....

Hetimi për inceneratorët/ Komisioni dëgjon në seancë 3 administratorët e kompanive


Është mbledhur këtë të hënë Komisioni Hetimor për Inceneratorët ku janë thirrur për të dëshmuar tre administratorë të inceneratorëve të Tiranës, Fierit dhe të Elbasanit.

Tre dëshmitarët e thirrur janë:

1 – Ariola Kodra – Administratore e Integrated Energy BV SPV; 

2 – Faraudin Arapi – Administrator e Inceneratorit “Albtek Energy”;

3 – Loren Duzha – Administrator i Inceneratorit “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier”. 

Për momentin është duke folur, administratorja e kompanisë që menaxhon fushën e përpunimit të mbetjeve në Tiranë, Ariola Kodra.

Ndërsa u përgjigjej pyetjeve, Kodra tha se kompania është brenda afateve të kontratës për punimet. Po ashtu shtoi se zona është më e pastër dhe se katastrofa e mëparshme nuk ekziston më.

“Sot qytetarët e Tiranës kanë një hapësirë moderne të trajtimit të mbetjeve, sot ajo situatë katastrofë nuk ekziston më. Ne jemi brenda afateve të vendosura nga kontrata për mbarimin e punimeve. Kontrata paraprake përfshin rehabilitim, rregullim të infrastrukturës së zonës, gjelbërim etj.”- tha Kodra.

Pjesë nga dëshmia:

Tabaku: Kush ju ka punësuar e kush janë pronarët?

Administratorja: Ky pozicion është dhënë nga administratori i mëparshëm. Pronarë janë të regjistruar, këtë informacion mund ta aksesoni.

Tabaku: Cilët janë pronarët e kompanisë?

Administratorja: Të gjitha informacionet që kompania ka për detyrë t’ia paraqisni organeve shtetërore aksesohen lehtësisht.

Tabaku: E njihni Klodian Zoton, Stela Gugalljan dhe Mirel Mërtirin?

Administratorja: Po i njoh në marrëdhënie pune. Gugallja është administratore e një zyre kontabiliteti që e kemi kontratuar.

Tabaku: Bilancet e cilit vit ka kontabiluar kompania?

Administratorja: Nuk e kam si informacion.

Tabaku: Kur ka qenë komunikimi juaj i fundit, me Zoton, Mërtirin dhe Gugalljan?

Administratorja: Nuk jam e detyruar të kontaktoj me nënkotratorë sepse kam një staf që kontaktoj.

Tabaku: Kur ka qenë takimi juaj me fundit me këta shtetas?

Administratorja: Unë kontaktet nuk i kam të drejta me nënkotratorët, komunikoj nëpërmjet stafit tim. Unë s’e kam memorizuar këtë pjesën e takimit.

Tabaku: Dëshmia e rreme ka penalitete për ju. E ndjeni përgjegjësinë e plotë?

Administratorja: Po, jam në dijeni të faktit.

Tabaku: Keni pasur eksperienca të mëparshme të menaxhimit të mbetjeve?

Administratorja: Jo, nuk kam pasur.