Vendosni fjalën kyçe....

Peter Thiel largohet nga bordi i kompanisë “Meta” për të mbështetur kandidatët e lidhur me Donald Trumpin


Peter Thiel, i cili është një nga anëtarët më jetëgjatë të bordit të kompanisë “Meta”, pjesë e së cilës janë edhe “Facebook” e “Instagram”, po planifikon të largohet nga detyra. Lajmi u konfirmua nga kompania të hënën.

54-vjeçari dëshiron të fokusohet në zgjedhjet afatmesme të nëntorit, shkruan “New York Times” duke cituar një person pranë Thiel i cili nuk pranoi të identifikohej. Sipas këtij personi, Thiel i sheh këto zgjedhje si vendimtare për ndryshimin e drejtimit të vendit, dhe ai po mbështet kandidatët që mbështesin axhendën e ish-presidentit Donald Trump.

Gjatë vitit të kaluar, Thiel, i cili sipas revistës Forbes ka një pasuri neto të vlerësuar në 2.6 miliardë dollarë, është bërë një nga donatorët më të mëdhenj të Partisë Republikane. Vitin e kaluar, ai dha 10 milionë dollarë për secilën nga fushatat e dy kandidatëve: Blake Masters, i cili kandidon për një vend në Senat në Arizona dhe JD Vance, i cili kandidon për Senatin në Ohio.

Thiel ka qenë pjesë e bordit të “Meta”-s që nga viti 2005, kur “Facebook” ishte në fillimet e veta dhe ai ishte një nga investitorët e parë institucionalë. Por kritikat mbi pozicionin e Thiel në bord janë rritur në mënyrë të vazhdueshme pasi kompania ishte përfshirë në polemika politike, duke përmendur këtu ndalimin e Donald Trumpit nga platforma, dhe ndërsa kapitalisti sipërmarrës është bërë më aktiv politikisht.

Largimi i tij do të thotë se Meta po humbet zërin më të spikatur konservator të bordit. Bordi prej 10 anëtarësh ka pësuar ndryshime të rëndësishme vitet e fundit, pasi shumë prej anëtarëve të tij janë larguar dhe janë zëvendësuar, shpesh me sipërmarrës të Silicon Valley. Kompania nuk tha gjë nëse ka ndërmend të zëvendësojë Thiel-in.

“Peter ka qenë një anëtar i vlefshëm i bordit tonë dhe unë jam thellësisht mirënjohës për gjithçka që ai ka bërë për kompaninë tonë.”- tha Zuckerberg në një deklaratë, citon NYT. “Peter është me të vërtetë një mendimtar origjinal të cilit mund t’i sjellësh problemet e tua më të vështira dhe të marrësh sugjerime unike.”

Në një deklaratë të hënën, Thiel tha: “Ka qenë një privilegj të punoja me një nga sipërmarrësit më të mëdhenj të kohës sonë. Inteligjenca, energjia dhe ndërgjegjja e Mark Zuckerberg janë të jashtëzakonshme. Talentet e tij do t’i shërbejnë mirë Metës, pasi ai e drejton kompaninë në një epokë të re.”

Thiel u takua për herë të parë me Zuckerberg 18 vjet më parë, kur ai i dha sipërmarrësit 500 mijë dollarë si kapital për “Facebook”-un, duke e vlerësuar kompaninë në 4.9 milionë dollarë. Kjo i dha Thiel-it, mundësinë të kontrollonte 10% të aksioneve në rrjetin social dhe të merrte një vend në bordin e tij të drejtorëve.

Që atëherë, Thiel është bërë një i besuar i Zuckerberg. Thiel e këshilloi kompaninë gjatë viteve të para të rritjes së shpejtë të përdoruesve. Pikëpamjet e tij konservatore gjithashtu i dhanë bordit të Facebook-ut diversitet ideologjik.