Vendosni fjalën kyçe....

“A ka mundësi të më dëgjosh se po të kërkoj fjalën 17 herë, do të të nxjerr jashtë”- Rama nxjerr videon e takimit me banoret e “5 Majit”


Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet nga takimi që ka zhvilluar paraditen e sotme me tre përfaqësuese të banorëve të zonave të “5 Majit”, Paskuqanit e Laprakës.

Që në nisje të këtij takimi, pati përplasje e debate të forta me Ramën dhe zonjat, banesat e të cilave janë shembur për t’i hapur rrugë projekteve të zhvillimit të kryeqytetit dhe ndërtimit të lagjes së re për banorët e dëmtuar nga tërmeti.

“Në Kuvendin e Shqipërisë me banorë të prekur nga prishjet në kantierin e lagjes së re ‘5 Maji’, ku askush nuk është lënë jashtë angazhimit të qeverisë për strehim.”– shkruan Rama ndërsa publikon videon e këtij takimi.

Rama kërkonte t’u shpjegonte zonjave projektin e planet e tij, por kur zonjat nisnin të flisnin atij nuk i pëlqente dhe po ankohej se s’po e linin të përfundonte. Njërës prej zonjave, Rama iu kërcënua se do e nxirrte jashtë nëse vijonte ta ndërpriste.

DEBATI:

Rama: Kam qenë i pari që kam kërkuar që kjo çështje të zgjidhet me legalizim, edhe u bë procesi i legalizimit. Gjithashtu, ju është thënë që të legalizohet çdo gjë që nuk pengon zhvillimin, se nuk mund të legalizojmë edhe aty ku do hapet kanali, edhe aty ku do bëhet rruga.
Nënë Liza: Nuk është për rrugë.
Rama: Do më dëgjosh mua tani, se të dëgjova. E di atë fjalën ‘të rrimë shtrembër, e të flasim drejtë’. Tani, shtëpia juaj dhe e atyre tjerëve, që janë pa legalizuar, nuk legalizohen, por ne nuk kemi thënë në asnjë moment që ju do të dilni jashtë. Ju keni bërë aty një investim dhe ne në rrugë nuk ju lëmë. Dakord. Ne aty do bëjmë një lagje të re, që njerëzit të jetojnë si njerëz, jo të jetojnë si kafshë në mes të plehrave, sepse për ne gjëja më e rëndësishme janë fëmijët dhe ata nuk mund të rriten në ato lagje me plehra, por duhen të kenë shkollë, park, etj. Ne nuk po ju prishim juve banesat që t’ua japim të tjerëve, për një zhvillim privat, por ne aty do të ndërtojmë një lagje, ku do strehojmë të gjithë ata që janë goditur nga tërmeti, si dhe të gjithë ju.
Banorja: Mua jo, se jam pa leje.
Rama: Edhe ty që je pa leje.
Banorja: Do ma japësh fjalën ti?
Rama: Zonjë, do më dëgjosh mua, apo jo, se ti s’po më dëgjon, po më ndërpret. Më lërë të mbaroj.

Banorja: Mendova se do mbaroni, e do ikni, se kështu na e kanë bërë edhe herë të tjera.
Rama: Kështu ua kam bërë unë?
Banorja: Jo.
Rama: Ju për mua jeni njësoj të gjithë. A ka mundësi të më dëgjosh deri në fund.
Nënë Liza: E kam bërë atë shtëpi me legalizime e me të gjitha.
Rama: A ka mundësi të më dëgjosh mua. Mund të kesh kundërshti sa të duash, por duhet të dish çfarë do të bëjmë ne.
Nënë Liza: Jo, jo, e di që ç’kemi çfarë të bëjmë.
Banorja: S’duam më gënjeshtra.
Rama: A ka mundësi të më dëgjosh, se po të kërkoj fjalën 17 herë, se nuk të lini as me fol. Ne do bëjmë atje një lagje të re, që do jetë një nga lagjet më të bukura të Tiranës. Ua Zot i madh, do të të nxjerr jashtë.