Vendosni fjalën kyçe....

Bashkitë Tiranë dhe Mirditë kërkojnë 640 mln lekë grante rikonstruksioni për apartamentet me dëmtime DSI-DS3


Përdorimi i fondeve nga Programi i Granteve për Rindërtimin do vijojë edhe për 2022. Pas miratimit të vendimit për dhënien e granteve të rikonstruksionit për bashkitë e Kavajës dhe Vorës, më 4 shkurt Komisioni Shtetëror i Rindërtimit miratoi vendimin për shpërndarjen e 257,7 mln lekë granteve për apartamentet e dëmtuara në Tiranë dhe 76,7 mln lekë për Bashkinë e Mirditës. Fondet i disbursohen pushtetit vendor pas miratimit të tij nga Këshilli i Ministrave.

Për Tiranën, fondi me vlerë 257,705, 000 lekë do të shpërndahet si grante rikonstruksioni për listën e apartamenteve dhe banesave individuale të cilat janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë që rezultojnë me shkallë dëmtueshmërie DS1-DS3 dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime.

Për bashkinë e Mirditës, është kërkuar miratimi i fondit me vlerë 383,780,091 për rikonstruksionin e 17 pallateve. Për këtë bashki për vitin 2022 pritet të disbursohen 76,756,018 lekë “Grante Rikonstruksioni” nëpërmjet Programit të Granteve të Rindërtimin për rikonstruksionin ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat)”, në shkallën e nivelit të dëmit DS1-DS3.

Në fund të muajit dhjetor Komisioni i Rindërtimit miratoi edhe kërkesën e Bashkisë të Kavajës dhe Vorës për dhënien e fondeve që shpërndahen në 2022 si grante rikonstruksioni për shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti.  Për Kavajën u miratua fondi me vlerë 184,3 mln lekë për 590 familje sipas kërkesës së paraqitur nga pushteti vendor.

Konkretisht për 93 familje apartamentet e të cilëve janë klasifikuar me dëmtime DS1 , t’u shpërndahet fondi me vlerë 9,3 mln lekë. Për 297 familje më dëmtim të shtëpive të klasifikuara në shkallën DS2 t’u shpërndahet fondi me vlerë 74,2 mln lekë dhe për 202 familje me apartamente të dëmtuara DS3 t’u shpërndahet fondi me vlerë 100,7 mln lekë.  Për vitin 2020 në qytetin e Kavajës u paguan 996 familje në fondin me vlerë 264 mln lekë. Në total fondi i miratuar ishte 364,6 mln lekë.

Komisioni Shtetëror i Rindërtimit miratoi edhe dhënien e fondit me vlerë 14,9 mln lekë për rikonstruksionin e mjediseve të përbashkëta për 7 pallate në Vorë të klasifikuara me shkallë dëmtimi DS1, DS2 dhe DS3. Në 2020 në Vorë u shpërndanë grante për rikonstruksionin e shtëpive për 869 familje. Fondi i paguar ishte në vlerën e 115 mln lekëve.

Programi për dhënien e granteve të rikonstruksionit parashikon që punimet për dëmtime të klasifikuara, si: DS1, DS2, DS3, të mund të kryhen vetë nga qytetarët me rimbursim shteti. Në total në  11 bashkitë e vendit, sipas Ministrisë të Rindërtimit aplikuan online në 2020 aplikuan rreth 50 mijë qytetarë.

Nga këto 25,863 janë klasifikuar DS1, DS2, DS3 për rikonstruksionin nëpërmjet granteve, ndërsa 22,845 janë klasifikuar DS4, DS5 dhe do të përfshihen në programet e rindërtimit. Faza e aplikimeve në platformën elektronike zgjati 1 muaj nga 28 janari deri në fund të marsit 2020.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor