Vendosni fjalën kyçe....

Në media iu publikuan foto me kandidatin e Berishës, Saimir Korreshi: Lajmi i pavërtetë, janë të fushatës së 2021-shit


Deputeti demokrat i Lushnjës Saimir Korreshi ka reaguar pas disa fotove që janë publikuar sot në disa medie, ku shihet krah kandidatit për kryetar bashkie të koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Elton Banon.

Këto foto u interpretuan në medie se tregonin mbështetjen e Korreshit për kandidatin e Komisionit të Rithemelimit dhe jo atë të PD-së, Indrit Sefën.

Korreshi thotë në një postim në “Facebook” se është i detyruar të bëjë një sqarim për demokratët e Lushnjës.

Ai thotë se lajmi është i pavërtetë dhe se fotot janë marrë nga fushata e vitit 2021 për zgjedhjet parlamentare. Korreshi shprehet se është i angazhuar në fushatë për fitoren e Sefës.

“Lajmi më poshtë është i pavërtetë! Fotot e shfaqura në lajm janë të fushatës së Partisë Demokratike në vitin 2021.

Asnjë keqinformim nuk mund t’i përçajë demokratët. Për të fituar duhet të jemi të gjithë bashkë.

Si deputet dhe Kryetar i Partisë Demokratike Dega Lushnje, dua të sqaroj demokratët e Lushnjes, që nga dita e parë jam angazhuar në fushatë për fitoren e Partisë Demokratike dhe kandidatit të PD për Bashkinë Lushnje z. Indrit Sefa.

PD ka nderuar Lushnjen dhe qytetarët lushnjar duke pranuar propozimin e Degës Lushnje dhe duke kandiduar një djalë lushnjar, që vjen nga një familje patriotike lushnjare, e cila ka dhënë kontributin e saj në momentet më të rëndësishme të formimit të shtetit shqiptar.

Ftoj çdo demokratë që don fitoren e Partisë Demokratike të mendojë për Lushnjen, të mendojë për demokratët, të kontribuojë që bashkia t’i kthehet qytetarëve. Bashkë fitojmë dhe i kthejmë dinjitetin Lushnjes.”– shkruan Sefa.