Vendosni fjalën kyçe....

Seanca në Kushtetuese, këshilltari i Metës: S’ka asnjë argument se presidenti ka shkelur Kushtetutën, proces politik për t’u hakmarrë


Këshilltari ligjor i presidentit Meta që e përfaqëson këtë të fundit në seancën në Gjykatën Kushtetuese ka deklaruar se në asnjë paragraf të kërkesës së deputetëve për shkarkimin e tij, nuk është vërejtur asnjë akt i vetëm që tregon se ka pasur shkelje të Kushtetuës.

Dervishaj theksoi se edhe pse nuk pa pasur asnjë argument për shkarkimin e presidentit, sërish janë shkelur parimet e shtetit të së drejtës si i paanësisë.

Ai e quajti Komisionin Hetimor për shkarkimin e Metës si një proces politik për t’u hakmarrë ndaj presidentit.

“Presidenti i Republikës, pas marrjes së njoftimit të nisjes së procesit të shkarkimit të tij, ka mbajtur komunikim shkresor me Kuvendin, duke i nisur ankesat apo këshillat që të mos binte ndesh me parimet kushtetuese. Neni 90 i Kushtetutës përcakton se nuk ka përgjegjësi në aktet e ushtruara gjatë detyrës se tij duke e vlerësuar gjithë procesin e iniciuar për shkarkimin e kreut të shtetit, rezultoi se në asnjë paragraf të kërkesës së deputetëve apo të raportit të Komisionit të Ligjeve, nuk është arritur të zbulohet asnjë akt i vetëm i Presidentit që mund të kishte shkelur Kushtetutën. Edhe pse në mungesë të lëndës për të shkarkuar Presidentin, përsëri janë shkelur të gjitha parimet e shtetit të së drejtës, si ai i paanësisë, parimi për një proces të rregullt ligjor. Veprimtaria hetimore parlamentare për shkarkimin e Presidentit nuk mund të zhvillohet gjatë periudhës 4-mujore kur zhvillohen zgjedhjet e reja. Komisioni hetimor u ngrit në mungesë të lëndës dhe të kohës. Kuvendi përmes këtij procesi ka tentuar të hyjë në mënyrën se si Presidenti ushtron kompetencat e tij. I gjithë procesi është iniciuar politikisht, për t’u hakmarrë ndaj Presidentit.” – tha Dervishaj.