Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Afera e Portit të Durrësit është afera më e madhe korruptive në Europë, s’e kanë më arabët pasi e kanë marrë disa kompani offshore


Ish-kryeministri Sali Berisha në foltoren e Kuvendit denoncoi sot lidhjet e shumta të qeverisë me krimin. Berisha fillimisht tha se çdo marrëveshje e kësaj qeverie kundër krimit të organizuar është “fund e krye një falsitet”.

Ai nisi të denoncojë sipas tij lidhjet e qeverisë me krimin.

“Sot diskutohet për votimin e një marrëveshjeje me fqinjin tonë jugor për luftën kundër krimit të organizuar. Me këtë rast dua të theksoj se çdo marrëveshje e kësaj narkoqeverie kundër krimit të organizuar është fund e krye një falsitet, është fund e krye një formalitet pasi Shqipëria është vendi në të cilin krimi i organizuar siç thotë raporti i DASH-it e ka shndërruar në qendrën operacionale të organizatave kriminale të rajonit, Europës, Amerikës së Veriut, Amerikës së Jugut dhe Lindjes së Mesme. Nuk ekziston një vend i dytë me këtë fuqi të së keqes, së krimit dhe kjo ka vetëm një arsye… lidhjen e tij të tmerrshme me qeveri.

Narkoqeveria e kreut të Meduzës e nisi qeverisjen e saj me instalimin në Xibrakë të uzinës më të madhe të kokainës në Ballkan, nën patronazhin direkt të klanit Rama. Genti Xhixha ishte lideri i laboratorit të kokainës dhe kishte lidhje direkte me Edi e Olsi Ramën. Ky ishte vetëm njëri shembull.”– tha Berisha.

Më tej Berisha nisi të fliste për Portin e Durrësit, duke thënë se ai kontrollohet nga krimi. Ish-kryeministri tha se me Portin e Durrësit po bëhet afera më e madhe korruptive në Evropë. Sipas tij, Porti nuk do të ndërtohet më nga arabët, por i ka kaluar një kompanie offshore, ku po pastrohen shuma përrallore nga bashkëpunëtorët e kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha.

“A e dini kush e kontrollon Portin e Durrësit? Nallbani i Xibrakës, i Hakmarrjes për Drejtësi, i Edvin Drogës e Lulzim Pengut, që e ka gjysmë baxhanak të dashur. Nuk është rastësi se nark-kokaina kalohet te Porti i Durrësit. A e morët vesh ju zotërinj apo jo? Se Emari u zhduk, s’ka më lidhje Emari me Portin e Durrësit, por kanë dalë disa kompani shqiptare offshore, me në krye Kreun e Meduzës dhe në bashkëpunim me Lul Bravën, që do lajnë aty shumat përrallore, 2 miliardë Euro në 800 000 metër katrorë.

U them këtu dhe do ju njoftoj në seancat e tjera, se afera e Portit të Durrësit është afera më e madhe korruptive në Europë. Kjo që po them unë është vetëm një kapitull, kapitulli tjetër është më i zi.

Prokurori italian deklaronte dje se mafia shqiptare, lexoni: mafia e klanit Rama, është më e rrezikshme se Ndragheta. Ju jeni dëshmitarë se si filloi bashkëpunimi. Krimi më i egër dhe më barbar është ai i kriminelëve në qeverinë shqiptare dhe bashkëpunëtorëve të tyre kudo që janë.”- tha Berisha.