Vendosni fjalën kyçe....

Balla nga Lushnja: Kush mendon se Saliu dhe Luli janë ndarë e ka gabim


Nga Lushnja, PS nisi fushatën elektorale, ku prezantoi kandidaten për kryebashkiake, Eriselda Sefën.

Balla tha gjatë fjalës së tij se në këto zgjedhje nuk kanë kundërshtar dhe besimi i duhet dhënë kandidates Eriselda Sefa për të çuar përpara projektet e nisura.

“Jam i qartë se çfarë ka funksionuar mirë dhe fare gjatë fushatës së 25 prillit në Lushnjë. Ajo që është e sigurt është që nuk ka një konkurrent tjetër në Lushnjë, Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë dhe Rrogozhinë që të na konkurrojë. Sot jemi të gjithë së bashku për t’i garantuar Eriseldës mbështetjen e kryeministrit Rama, grupit parlamentar, për të çuar përpara punët e rëndësishme të kësaj partie. Nëse Vlora i dha Pavarësinë Shqipërisë, Lushnja i dha shtetin me të gjithë përbërjen e vet. Ky është qyteti i Kongresit dhe jam i sigurt që populli i nderuar i Lushnjës do të na japë një super motivim për Eriseldën Sefa për të cuar përpara projektet e mëdha.”- tha Balla.

Në fjalën e tij Balla ceku edhe marrëdhëniet në Partinë Demokratike. Sipas tij ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryedemokrati Lulzim Basha janë ende bashkë.

“Nuk kemi nevojë për mitingje të mëdhaja. Ne do të shkojmë në grupe banesash, grupe njerëzish, për të folur për gjithçka që ne po bëjmë. Ne nuk bëmë aleancë me asnjë parti, e nuk do të bëjmë më. Aleanca jonë janë njerëzit e thjeshtë e të zakonshëm. Ata janë bashkë. Kush mendon që Luli e Saliu janë ndarë e kanë gabim, ata janë bashkë sepse edhe pisllëqet i kanë bashkë. 21 janarin e ka bashkë me Lulin. Historinë e detit e ka bashkë me të. Në Gërdec, Luli ishte në qeveri. Janë çështje që duhen përballen dhe ne do të insistojmë. Për të fituar mandatin tonë të katërt duhet të përmirësohemi. Njerëzit nuk janë dakord për mënyrën se si ne kemi administruar pushtetin këto vite, por ne do t’i dëgjojmë.”– u shpreh ai.