Vendosni fjalën kyçe....

Meta për fjalimin e nënë Lizës së “5 Majit”: Leksion kulture dhe dije për deputetët


Presidenti Ilir Meta ka reaguar lidhur me dëshminë që dha nënë Liza, gruaja që u bë simbol i përplasjes së banorëve me policinë në rrugën “5 Maji” në Tiranë, në Komisionin e Ligjeve dy ditë më parë.

Sipas presidentit Meta, fjalimi i të moshuarës është një leksion kulture dhe dije për deputetët. Meta shprehet se dëshmia e të moshuarës është zë i fuqishëm i shumë shqiptarëve që sot vuajnë dhunën e një pushteti arrogant.

“Leksion kulture dhe dije deputetëve nga Nënë Liza.

Është zëri i fuqishëm i shumë shqiptarëve, që vuajnë sot dhunën e një pushteti arrogant dhe kleptokrat, që nuk pyet as për të moshuarit dhe foshnjat në mes të dimrit dhe të ftohtit.
Nënë Liza, shembull frymëzues për protesta paqësore kundër një regjimi arbitrar dhe policesk.
Mjaft me dhunimin e të drejtave të njeriut!
Qytetarët shqiptarë nuk janë kavje eksperimentale!”– shkruan Meta.

DËSHMIA E TË MOSHUARËS

Ne as nuk duam të vrasim as të presim, duam një përgjigje të saktë prej shtetit shqiptar. Ose të na marrë të na pushkatojë në breg të lumit dhe nuk ka popull më. Kanë ardhur në orën 4 kanë prerë dritat. Policia e kishte bërë shtet rrethim në 4 qoshe. 1300 policë me 30 vetë. Kanë ardhur e kanë plasur në shtëpinë time, në oborrin tim si me qenë kriminelë. Kam dashur të hyj të marr rrobat e brendshme, jo, me marr ilaçet jo, me marr portofolin jo. Më kanë nxjerrë zvarrë. 4 policë me një plakë është turpi i Zotit për shtetin shqiptar. Në kujtojmë se po hyjmë në Europë, por ne po hyjmë në gropë. Me këtë shtet, me këtë kryetar bashkie ne jemi duke hyrë në gropë. Pse nuk vjen me thanë njëherë ku janë këta njerëz. Kam pasur burrin e sëmurë 15 vjet, nuk ia kam njohur një 5 lekësh. Tash 8 vjet 2 mijë lekë shtim pensioni. me 100 mijë lekë pension, drita, ujë, të tana. Pra, ne kërkojmë kryetarin e bashkisë të vijë të paraqitet këtu. Nuk e vret kush, të vijë t’i japë përgjigje atij populli që i kanë ardhur letrat sot, janë mbledhur duke qarë të tanë nëpër shtëpia të veta. Presin nga të shkojnë. Shtëpitë janë me 400 euro, drita, ujë, ku do shkojmë ne. Kryetari i Bashkisë me qenë burrë vjen në shesh të burrave se jam plakë dhe me më thirr 5 mijë policë pa u dalë para nuk e lë. U dal para dhe nuk trembem. Me u tremb kryetari i bashkisë që ka shtëpi boll.

Jam jashtë, jam pa u larë, pa u ndërruar. A ke ujë ti, a ke fëmijë, nëse keni njerëz, fëmijë shikojeni këtë popull. Unë dua kontratën e rregullt. Unë do rri të vdes në rrënoja dhe nuk dal. Mos t’u vijë keq hiç. Unë jam malësore e nuk trembem as prej teje, as prej kujt. Kur nuk jam trembur nga 1000 policë, prej teje nuk trembem saktë. E kam tensionin 16 me 9 tani se i kam fëmijët jashtë. Unë i kërkoj kryetarit të bashkisë kontratën e rregullt, me vulë, me firmë të kryetarit të bashkisë. Këtu po luan mafia. Se vij para jush nuk e kam menduar.”