Vendosni fjalën kyçe....

Noka shkëmben SMS me Nikollën gjatë seancës plenare, reagon Alibeaj: Berisha dhe Rama po bashkëpunojnë ngushtë


Gjatë seancës së sotme plenare në Parlament, deputeti Flamur Noka i cili ka dalë krah ish-kryeministrit Sali Berisha u filmua ndërsa po shkëmbente disa mesazhe me kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

Në këto mesazhe, Noka i kërkonte Nikollës t’i jepte edhe njëherë fjalën për procedurë Berishës pasi më pas do të largoheshin.

Ky moment është komentuar shumë në rrjetet sociale, me Nënktyetarin e PD-së Enkelejd Alibeaj i cili ka reaguar përmes një postimi.

Këtë shkëmbim bisede mes Nokës dhe Nikollës përmes “WhatsApp”-it, Alibeaj e konsideron si provë të bashkëpunimit mes Berishës dhe kryeministrit Edi Rama.

Alibeaj shprehet se kushdo “me sy në ballë e mend në kokë” e kupton tashmë se në Shqipëri ka vetëm një opozitë, që është PD.

“Që prej 9 shtatorit, Sali Berisha, për të hequr vëmendjen nga non grata e tij për korrupsion, ka nisur një fushatë të turpshme shpifjesh e mashtrimesh kundër lidershpit të PD. Ndërsa hedh mashtrime nga më ordineret, familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij vazhdojnë të pasurohen duke bashkëpunuar me Edi Ramën dhe qeverinë e tij.

Edi Ramës i duhet një njeri si Sali Berisha, ish-kryeministri i vetëm në Europë i shpallur non grata për korrupsion, një njeri i izoluar nga SHBA dhe BE. Prandaj Rama i ka vënë në dispozicion gjithë makinerinë e propagandës së tij duke bashkëpunuar më së miri me të, siç ndodh dhe në këtë komunikim të kapur nga mediat ku Flamur Noka bashkërendon me Ulsi Manjën dhe Lindita Nikollen.

Nga njëra anë ndajnë pazare dhe koordinojnë luftën kundër PD, nga ana tjetër foltorexhinjte non-grata sulmojnë lidershipin e PD. Kushdo me sy në ballë e mend në kokë e kupton tashmë se në Shqipëri ka vetëm një opozitë, që është PD. Rama dhe Berisha janë njësoj. Zgjidh Ramën dhe merr edhe Berishën. Zgjidh Berishën dhe merr Ramën.”- shkruan Alibeaj ndërsa shpërndan një video nga ky moment në Parlament.