Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina thotë se SHBA u nxitua me planet për të evakuuar familjet e diplomatëve nga Kievi


Ukraina tha të hënën se ishte i nxituar vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të evakuuar familjet e stafit të saj diplomatik në Kiev nga frika e një pushtimi të afërt rus.

“Duke respektuar të drejtën e shteteve të huaja për të garantuar sigurinë e misioneve të tyre diplomatike, ne e konsiderojmë të parakohshëm një hap të tillë nga pala amerikane dhe një manifestim të kujdesit të tepruar.”- tha sipas BBC Ukraine, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko.

Ai shtoi se kohët e fundit nuk ka pasur ndryshime drastike në situatën e sigurisë, pasi kërcënimi rus ka vazhduar që nga viti 2014 dhe përqendrimi i trupave ruse pranë kufirit filloi në prill të vitit të kaluar.

Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit nuk do të thotë që të gjithë punonjësit e ambasadës amerikane do të largohen nga Ukraina tani. Ambasada do të vazhdojë të funksionojë siç duhet. Anëtarëve të misionit diplomatik iu dha mundësia të largoheshin nëse dëshironin.

Më herët disa media amerikane raportuan për fillimin e evakuimit të disa punonjësve të ambasadës amerikane në Ukrainë.

Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken ka paralajmëruar se presidenti rus Vladimir Putin mund të urdhërojë një sulm sa më shpejt të jetë e mundur.