Vendosni fjalën kyçe....

“SHBA-ja planifikon të dërgojë mijëra trupa, avionë e anije në Europën Lindore” – New York Times


Presidenti amerikan Joe Biden po shqyrton vendosjen e trupave, avionëve dhe anijeve luftarake në Balltik dhe Evropën Lindore si një mjet për të penguar Rusinë nga pushtimi i Ukrainës, ka raportuar ‘The New York Times’.

Duke cituar burime anonime, gazeta pretendon se Shtëpia e Bardhë aktualisht po shqyrton planet për të vendosur midis 1,000 dhe 5,000 trupa, me potencialin për ta rritur këtë numër dhjetëfish nëse situata përkeqësohet.

Mundësitë thuhet se iu prezantuan presidentit nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së të shtunën, në një takim në Camp David dhe supozohet se Biden mund të marrë një vendim këtë javë.

Planet për një dislokim të mundshëm amerikan në Evropë vijnë pasi Rusia akuzohet se ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa në kufirin me Ukrainën, me disa që besojnë se një inkursion ushtarak është afër.

Kremlini ka mohuar vazhdimisht sugjerimet se planifikon të pushtojë Ukrainën, duke qëndruar se ka të drejtë të lëvizë ushtrinë në tokën e tij siç e sheh të arsyeshme.

Vendet perëndimore, përfshirë SHBA-në, kanë paralajmëruar Moskën për pasoja të rënda në rast të një pushtimi të Ukrainës, duke përfshirë sanksione të rënda ekonomike që mund të gjymtojnë ekonominë ruse.

Të mërkurën e kaluar, presidenti amerikan pranoi se ka dallime në opinione rreth mënyrës më të mirë për të ndëshkuar Kremlinin, por premtoi se blloku i NATO-s i udhëhequr nga SHBA do të ‘impononte kosto të rënda mbi Rusinë dhe ekonominë ruse’.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani