Vendosni fjalën kyçe....

Spanja legalizon deri në 500 mijë emigrantë të parregullt, sindikatat anulojnë grevën



Spanja ka miratuar një program të ri amnistie për emigrantët pa dokumente, që mund të përfshijë deri në 500 mijë persona që jetojnë dhe punojnë në vend pa autorizim. Masa ka sjellë reagime të ndryshme, por edhe një marrëveshje që shmangu një grevë të paralajmëruar nga punonjësit e administratës së emigracionit, përcjell Euronews.

Sindikatat, përfshirë CCOO, hoqën dorë nga protesta pasi arritën një marrëveshje me qeverinë për rritje pagash nga 10% deri në 18% dhe plotësimin e 700 vendeve vakante në administratë. Vendimi erdhi në një moment kur pritej një fluks i madh aplikimesh pas hyrjes në fuqi të amnistisë.

Kryeministri Pedro Sánchez e cilësoi këtë vendim si “një akt drejtësie dhe një domosdoshmëri”, duke theksuar se personat që jetojnë dhe kontribuojnë në ekonomi duhet të kenë të drejta të barabarta dhe të paguajnë taksa.

Programi u miratua me dekret, duke anashkaluar parlamentin, ku qeveria nuk ka shumicë dhe ku një përpjekje e mëparshme kishte dështuar. Sipas ministres së Migracionit, Elma Saiz, emigrantët mund të aplikojnë për një leje qëndrimi dhe pune njëvjeçare, duke filluar nga 20 prilli fizikisht dhe online.

Kushtet kryesore për përfitim:

  • Duhet të kenë hyrë në Spanjë para 1 janarit
  • Të provojnë se kanë jetuar në vend për të paktën 5 muaj
  • Të mos kenë precedentë penalë

Shumë prej emigrantëve vijnë nga Amerika Latine dhe Afrika dhe janë të punësuar në sektorë kyç si bujqësia, turizmi dhe shërbimet.

Qeveria argumenton se kjo politikë është e lidhur drejtpërdrejt me rritjen ekonomike të vendit. Spanja ka qenë një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Bashkimin Europian në dy vitet e fundit, dhe sipas autoriteteve, kontributi i punëtorëve të huaj është thelbësor për këtë zhvillim.

Kjo qasje bie në kontrast me shumë vende të tjera europiane, të cilat po ashpërsojnë politikat e emigracionit dhe po shtojnë deportimet. Ndërkohë, Spanja ka një histori të gjatë amnistish të ngjashme, duke i zbatuar ato gjashtë herë midis viteve 1986 dhe 2005.