Vendosni fjalën kyçe....

Spitali i ri i Laçit, Manastirliu inspekton punimet: Do jetë gati pas 2 muajsh


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka inspektuar këtë të shtunë punimet për ndërtimin e Spitalit të ri të Kurbinit, pas dëmtimeve të tërmetit të 26 Nëntorit të vitit 2019.

Gjatë fjalës së saj, Manastirliu tha se pavarësisht vështirësive, ky spital i ri do të përfundojë së shpejti, edhe afro 2 muaj.

“Në dy muaj e pakë do ta konkludojmë këtë projekt. Jemi në fazën ku po bëhen instalimet elektrike dhe hidraulike. Ky spital do të jetë shembulli si ne i duam spitalet bashkiake. Spitali i vjetër ishte një godinë që nuk mund të riparohej. Ia dolëm të bënim një projekt të shpejtë. Kjo strukturë do përfshijë poliklinikë, do përfshijë ambientet e urgjencës, do të ketë 3 pavione. Ambientet janë të bollshme edhe për të shtuar shërbime të reja në rast se do të vlerësojmë se do të jetë nevoja. Po e nisim me 35 shtretër, por në kuadër të flukseve, hapësirat janë të bollshme për të rritur numrin e shtretërve.”- tha Manastirliu.

Ministrja e cilësoi Spitalin e ri të Kurbinit si model që do të shërbejë për të ndërtuar dhe organizuar të gjitha spitalet e tjera bashkiake në vend.

“Krijojmë kështu një model për ta aplikuar edhe në bashkitë e tjera, në funksion të përmirësimit të shërbimeve, të strategjisë që ne kemi për organizimet e sistemit spitalor në vendin tonë dhe rajonalizimit të shërbimeve spitalore, duke qenë se tashmë investimet që ne kemi bërë në sistemin tonë shëndetësor, investimet në maternitete të reja, investimet në spitalie të reja, investimet që po fillojmë për spitalet bashkiake, duke nisur nga Spitali i Kurbinit e më tej duke vijuar me spitalin e Krujës e spitale të tjera bashkiake, do të mund të na japin një eficence të menaxhimit të burimeve tona, qofshin ato njerëzore e financiare, në mënyrë që qytetarët t’i marrin shërbimet afër vendbanimit, por edhe mjekët e infermierët të kenë kushte shumë dinjitoze pune.”- tha Manastirliu.