Vendosni fjalën kyçe....

Ambasada amerikane në Ukrainë ‘kërkon evakuimin e stafit’ mes frikës së luftës


Ambasada amerikane në Ukrainë ka kërkuar evakuimin e të gjithë stafit jo të rëndësishëm mes frikës në rritje të një pushtimi të afërt rus.

Po kështu ajo ka njoftuar mbërritjen brenda natës të dërgesave të armëve të premtuara nga Presidenti Joe Biden, sipas një raporti të CNN.

Evakuimet e stafit të SHBA-së ka të ngjarë të fillojnë ‘që në fillim të javës së ardhshme’, tha rrjeti amerikan i lajmeve, duke cituar një burim të afërt me qeverinë ukrainase. Kjo shënon zhvendosjen e fokusit të ambasadës drejt ‘ndihmimit të Ukrainës për të forcuar mbrojtjen e saj përballë agresionit rus në rritje’.

Ambasada në Kiev tha gjithashtu në Twitter se grupi i parë i ndihmës së re amerikane kishte mbërritur në Ukrainë, e cila përfshin armë të përshkruara si ’90 tonelata ndihma vdekjeprurëse, duke përfshirë municione për ushtarët e vijës së parë të Ukrainës’.

Kjo vjen pas pohimit të presdentit Biden të mërkurën në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë se ai tani priste që presidenti rus, Vladimir Putin, të ‘futej brenda’ dhe të pushtonte Ukrainën, në një akt që do të nënkuptonte kthimin e luftës në shkallë të gjerë në Evropën kontinentale për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore.