Vendosni fjalën kyçe....

Rama në inaugurimin e xhamisë së Et’hem Beut: Radhën e ka Xhamia e Plumbit dhe restaurimet në Berat e Gjirokastër


Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e inaugurimit të xhamisë së Et’hem Beut në qendër të Tiranës, Kryeministri Edi Rama lajmëroi se në bashkëpunim me Turqinë do vijojnë objekte të tjera kulti dhe historike të restaurohen.

Rama tha se radhën për restaurim e ka Xhamia e Plumbit në Shkodër dhe vijimi i punës me agjencinë turke TIKA për restaurimet në Berat, Gjirokastër e Shkodër.

Kemi zgjedhur te presidenti Erdogan një partner të pazëvendësueshëm. Falë angazhimit të agjencisë turke të bashkëpunimit TIKA, falë bashkëpunimit me historianët, inxhinierët, restauratorët turq me ato shqiptare, ne sot kemi disa nga xhevahiret e fesë islame që kanë rilindur plot shkëlqim. Xhamitë e qendrës mesjetare të Beratit, xhamia e mrekullueshme e Gjirokastrës që sot kanë rilindur falë kësaj përkujdesje, nuk janë thjesht objekte kulti, por janë edhe pika referimi për të gjithë ne dhe për të gjithë ata që e vizitojnë Shqipërinë në të gjithë diversitetin e saj. Unë po e mbyll fjalën time që së shpejti do të fillojë edhe puna për rilindjen e xhamisë së plumbit në Shkodër, një nga perlat e trashëgimisë sonë kulturore. Ndërkohë që me mbështetjen e presidentit dhe me bashkëpunimit të agjencisë TIKA do vijojmë punën për të vazhduar përpjekjen e bukur për rilindjen e Beratit, Gjirokastrës dhe vet Shkodrës”, deklaroi Rama.