Vendosni fjalën kyçe....

Projekti 100 milionë USD për urat nis me Viroin, do ndërtohet e re, ARRSH nis konsultimet


Shqipëria siguroi vetëm pak kohë më parë nga mbështetje nga Banka Botërore(BB) për projektin e urave.

Me një financim 100 milionë dollarë ky projekt parashikon ndërhyrjen për rehabilitimin e urave ekzistuese apo rindërtimin në disa raste kur është e nevojshme. Autoriteti Rrugor Shqiptar(ARRSH) duket se ka nisur këtë projekt me një urë që lidh Tepelenën me Gjirokastrën dhe që njihet si ura e Viroit.

Në raste përmbytjesh e problemesh të lidhura me motin kjo urë është bërë jo pak herë pjesë e lajmeve dhe ARRSH tashmë ka hapur një fazë konsultimi ku sipas vlerësimit të ndikimit në mjedis por edhe raportit teknik parashikohet ndërtimi i një objekti të ri.

“Zona, ku propozohet të bëhet objekti, është e pozicionuar në veri në raport me qendrën e qytetit të Gjirokastrës, duke qenë një segment i rrugës nacionale Gjirokastër  ‐  Tepelenë. Objekti bën pjesë në territorin e administruar nga Bashkia e Gjirokastrës. Projekti i zbatimit parashikon që e gjithë gjurma të kalojë paralel me rrugën ekzistuese, në anë lindore të saj (nga ana e lumit Drino), duke lenë në funksionim urën ekzistuese si shëtitore panoramike përreth liqenit” thuhet në raportin teknik të publikuar nga ARRSH.

Projekti parashikon edhe kalimin nga një rrugë e kategorisë C në C2 me gjerësi të korsive 2x 3.5 metra. Nga ana tjetër kërkohet që objekti i ri të garantojë mos përmbytjen nga vërshimet e ujërave me siguri të përshtatshme për këtë kategori rruge.

Ura e Viroit është një ndër disa urat që do t’i nënshtrohen projektit të rehabilitimit apo rindërtimit që financohet nga BB dhe zbatohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Më herët në dokumentin e projektit thuhej se në njohuritë e ekspertëve të këtij institucioni, për rrjetin rrugor kombëtar, pritet që rreth 80 ura me përparësi (me një fluks trafikut prej 100 deri në 2500 mjete në ditë) dhe kanale nën rrugë do të kërkojnë ndërhyrje brenda shtatë viteve të ardhshme.

“Urat dhe kanalet nën rrugë prioritare do të jenë së pari ato me rëndësi më të lartë socio-ekonomike për shkak të vendndodhjes së tyre përgjatë korridoreve ekonomike kryesore apo që bëjnë lidhjen e popullatës në nevojë me shërbimet publike, vendet e punës apo qendrat e tregut. Së dyti do të jenë urat ku ka dobësi dhe risk për shkak të kushteve të tyre të përkeqësuar strukturore apo që ndodhen në zona që janë të përfshira herë pas here nga fatkeqësitë natyrore apo ndryshimeve klimatike. Së treti do të jenë edhe ato ura që mund të duan ndërhyrje të menjëhershme në harkun kohor të shtatë viteve kur do të jetë në zbatim projekti”, thuhej në raportin e Bankës./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor