Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet një person për kërcënimet me vdekje ndaj Piers Morgan


Pas një hetimi të gjatë, një burrë është arrestuar nga autoritetet britanike në lidhje me kërcënimet me vdekje të bëra në internet ndaj prezantuesit televiziv Piers Morgan dhe djalit të tij të madh, Spencer.

Në shkurt të vitit 2021, Morgan zbuloi se ai dhe djali i tij ishin shënjestruar nga një “troll i internetit”. Në mesazhet e dhunshme, të cilat spikeri i televizionit i raportonte policisë, ai quhej “një njeri i shënuar”. Po ashtu mesazhi kërcënonte moderatorin me “vrasje”.

Pas disa muaj hetimesh, të premten u konfirmua se një burrë 43-vjeçar ishte arrestuar në Mançester në gusht të vitit 2021, me dyshimin se kishte kërcënuar moderatorin për ta vrarë.

“Ai është liruar me kusht ndërsa hetimet vazhdojnë.”- tha Scotland Yard në një deklaratë të cituar nga mediat britanike.

Megjithëse policia nuk e përmendi autorin e supozuar, Morgan reagoi në “Twitter”: “Kërcënimet frikacake kanë pasoja”.

Kërcënimet e kishin shtyrë familjen të instalonte një buton paniku në shtëpi dhe Morgan tha se tre djemtë e tij ishin bërë objekt i “abuzimit helmues dhe kërcënimeve me dhunë”.

Duke folur për “The Sun”, Morgan falënderoi policinë që e mori seriozisht ankesën e tij. “Njerëzit mendojnë se është krejtësisht në rregull të bësh kërcënime me vdekje ndaj figurave publike në mediat sociale, por nuk është kështu – duhet të ketë një kufi, veçanërisht kur anëtarët e familjes janë në shënjestër.”

Pajisjet dixhitale të individit u sekuestruan nga policia për analiza mjeko-ligjore, tha gazeta.

Morgan i kishte lidhur më parë kërcënimet me vdekje me komentet e tij për largimin e Princit Harry dhe Meghan Markle nga familja mbretërore. Megjithatë, siç theksoi ai në atë kohë, djemtë e tij nuk kishin asnjë lidhje me këtë histori.

“Asnjëri prej tyre as nuk do t’ja dije për Meghan Markle, e lëre më të pajtohet me pikëpamjet e mia për të. Megjithatë, turma e trolleve në ‘Tëitter’ i ka quajtur ata fajtorë.”- shkruante Morgan.