Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti i Kazakistanit autorizon policinë e ushtrinë të qëllojnë pa paralajmërim ndaj protestuesve të armatosur


Presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev njoftoi të premten se ai u ka dhënë leje forcave të zbatimit të ligjit që të përdorin forcën vdekjeprurëse për të shuar trazirat që kanë përfshirë vendin që nga viti i ri.

“Unë u kam dhënë urdhër forcave të rendit dhe ushtrisë që të qëllojnë për të vrarë pa paralajmërim.” – tha Tokayev të premten.

Presidenti ka hedhur poshtë idenë e zgjidhjes së krizës në vazhdim përmes negociatave.

“Është e pakuptimtë. Çfarë bisedash mund të ketë me kriminelët dhe vrasësit?” – këmbënguli ai.

Kazakistani po përballet me ‘militantë të armatosur dhe të stërvitur mirë, vendas dhe të huaj’, tha Tokayev. Duke i përshkruar ata si ‘banditë dhe terroristë’, ai pohoi se ata duhet të ‘eliminohen’.

Situata është stabilizuar kryesisht në Almaty, Aktobe dhe gjetkë në të gjithë vendin, tha ai, por forcat e sigurisë po vazhdojnë ‘operacionin e tyre anti-terrorist’, pasi jo të gjithë i kanë lënë armët.