Vendosni fjalën kyçe....

I gjeti dyert e selisë të mbyllura, Flamur Noka: Qenka kthyer në burg të sigurisë së lartë, kjo ndryshon me datë 8


Deputeti Flamur Noka mbajti sot një deklaratë të shkurtër për mediet, pasi tentoi të futej pa sukses në selinë blu, ku ishin mbyllur të gjitha dyert.

“Një grup deputetësh dhe deputetesh anëtarë të grupit PD, erdhëm sot në selinë e PD, në Shtëpinë tonë, për të zhvilluar një takim dhe një mbledhje në lidhje me axhendën për 2022.

Dua t’ju uroj ju mediave Gëzuar. Ajo që po konstatojmë me dhimbje është se shtëpia e lirisë, PD sot duhet të ishte një ambjent ku të gumëzhinte, ambjent festiv që të bashkonte të gjithë demokratët,  por për fat të keq Edi Rama e ka kthyer me pengun e tij në një Alkatraz të kohëve moderne. Gjithçka e mbyllur e blinduar, thua se e ka kthyer PD në një burg të sigurisë së lartë. Kjo është e turpshme e neveritshme.

Pengu i Ramës mund të rrijë i vetëburgosur, si mënyra më e mirë që Rama të zgjasë pushtetin. Rama e ka gabim, kurrë nuk mund të burgosë shpirtin e lirë të demokratëve. Data 8 do jetë një ditë që demokratët do marrin frymë lirisht, nga shtëpia e lirisë. Në mënyrën më paqësore, demokratët nga Alkatraz do e kthejnë në shtëpi lirie këtë seli.” tha Noka.

Kjo vizitë e deputetëve të Komisionit të Rithemelimit në selinë blu vjen në ditën kur skadonte afati për Lulzim Bashën që të lërë zyrën dhe karrigen e kryetarit të PD-së.