Vendosni fjalën kyçe....

Plagosja e Vinçens Pirolit/ Zbardhet dëshmia e personit që e shoqëronte: Kishte frikë ta çoja në spitalin e Shkodrës


Policia vendore e Shkodrës ka arritur që të marrë prova të besueshme se plagosja e Vinçens Pirolit ka ndodhur në Shkodër.

Nisur nga kamerat e sigurisë dhe nga dëshmi të ndryshme, efektivët besojnë se atentati ka ndodhur në Shkodër edhe pse nuk është gjetur ende vendi i saktë se ku mund të jetë plagosur 34-vjeçari.

“Balkanweb” ka zbardhur dëshminë në polici të personit që e transportoi Pirolin nga Shkodra drejt spitalit rajonl të Lezhës.

Mark Nika ka deklaruar se së bashku me Pirolin janë nisur nga Lezha drejt Shkodrës pasi 34-vjeçari i kishte thënë se do të takonte një person. Më pas Piroli ka mbërritur i plagosur dhe i ka kërkuar ta çonte në Lezhë pasi në Shkodër kishte frikë se mos i ndodhte ndonjë gjë.

“Jemi nisur nga Lezha për në Shkodër, pasi Vinçensi më tha se do të takonte një person. Kemi mbërritur në Shkodër rreth orës 18:30. Në hyrje të urës së Bahçallekut që është edhe hyrja e Shkodrës Vinçensi është ulur në tokë dhe është futur në një rrugë dytësore. Aty kishte edhe një xhami. Unë e kam pritur në makinë. Papritur kur erdhi dikush e kishte plagosur. Unë nuk e di as se kush e ka plagosur dhe as arsyen sepse nuk më ka treguar.

Pastaj e kam dërguar ashtu të plagosur tek spitali i Lezhës, sepse nuk donte ta çoja në Shkodër, për shkak se kishte frikë se mund t’i ndodhte ndonjë gjë. E kam çuar në spitalin e Lezhës dhe e kam lënë aty. Nuk e kam idenë se kë ka takuar dhe se kush e ka plagosur.”- ka thënë në dëshminë e tij për policinë shtetasi Mark Nika, sipas Balkanweb.

Kujtojmë se 34-vjeçari Viçenc Piroli është paraqitur një ditë më parë i plagosur në spitalin e Lezhës ndërsa është dërguar më pas në drejtim të Tiranës për ndërhyrje më të specializuar.

Piroli ishte i shpallur në kërkim nga Mali i Zi me akuzat për vrasjen e datës 4 korrik 2021 në Ulqin të Momçillo Gjurishiç.