Vendosni fjalën kyçe....

Manastirliu takohet me mjekët për fundvit: Në janar fillon rehabilitimi i spitalit Infektiv


Në prag të ditës së ndërrimit të viteve, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, është takuar mjekët dhe infermierët e Spitalit Infektiv, për t’iu shprehur mirënjohjen për punën dhe sakrificën e tyre në këtë vit të vështirë të përballjes me pandeminë. 

“Ju jeni heronjt e vërtetë. Unë jam sot këtu mes jush që jeni simboli i luftës së pandemisë, që jeni simboli i mjekëve, infermierëve që po punoni pa reshtur. Dhe në këto ditë festash nuk jeni pranë familjeve tuaja, por jeni përsëri në shërbim të pacientëve këtu. Ashtu sikurse edhe të gjithë ekipet tona të urgjencave dhe shërbimeve të tjera në të gjithë spitalet e vendit. Më lejoni edhe njëherë t’ju shpreh mirënjohjen, respektin e thellë dhe padyshim edhe falenderimet nga Kryeministri për të gjithë punën, angazhimin tuaj dhe për t’ju dhënë edhe njëherë që ne jemi këtu për ju, me ju, në shërbim të njerëzve.”- u shpreh ministrja.

Gjatë fjalës së saj, Manastirliu tha se në muajin Janar të vitit 2022 do të fillojë rehabilitimi i Spitalit Infektiv, për ta kthyer atë në një qendër ekselence të shërbimit infektiv.

“Sfida e rradhës është projekti ynë i madh, është projekti i rehabilitimit të Spitalit Infektiv, për ta bërë këtë spital një qendër ekselence të shërbimit infektiv kombëtar dhe për t’i dhënë këtij spitali atë transformim dhe modernizim të nevojshëm, në mënyrë që të ecim me hapin e kohës dhe ndërkohë të kemi mundësi që kjo qendër ekselence, edhe nëpërmjet teknologjisë, edhe nëpërmjet infrastrukturës, të ofrojë akoma më shumë.”- tha Manastirliu.

Ministrja u bën gjithashtu apel të gjithë qytetarëve, që gjatë festave të fundvitit, të tregohen të përgjegjëshëm për të respektuar masat e vendosura.

“Është e rëndësishme thirrja për të gjithë qytetarët që në këto ditë festash duhet të tregohemi të kujdesshëm; të kujdesshëm për të ruajtur dhe për të zbatuar protokollet që ne kemi; të kujdesshëm për të mos mundësuar qarkullimin e covid brenda ambienteve të mbyllura dhe duke siguruar që edhe në festat e vogla familjare që do të kemi në datën 31, të mundet që të jemi të vaksinuar dhe të garantojmë që askush të mos preket nga kjo sëmundje.

Kjo është një përgjegjësi patjetër e institucioneve por është edhe një përgjegjësi individuale, është një përgjegjësi morale, është një përgjegjësi qytetare, është një përgjegjësi e shoqërisë në mënyrë që të ruajmë njëri-tjetrin, të mbrojmë shëndetin e njëri-tjetrit dhe të mbrojmë në tërësi shëndetin e gjithë qytetarëve tanë.”- ishte apeli i Manastirliut për qytetarët.