Vendosni fjalën kyçe....

Kina u ankua për të në OKB, Elon Musk përballet me kritika në rrjet


Elon Musk po përballet me një reagim të ashpër në mediet sociale pasi Kina u ankua se stacioni i saj hapësinor u detyrua të shmangte përplasjet me satelitët e nisur nga projekti i tij i Shërbimeve të Internetit Starlink.

Pekini pretendon se stacioni hapësinor i Kinës pati dy “takime të ngushta” me satelitët Starlink. Incidentet e denoncuara në agjencinë hapësinore të OKB-së, nuk janë verifikuar ende në mënyrë të pavarur.

Starlink është një rrjet satelitor interneti i operuar nga kompania “SpaceX” e Musk. Biznesmeni amerikan është shumë i njohur në Kinë, edhe pse kompania e tij e makinave elektrike “Tesla” është nën vëzhgimin në rritje nga rregullatorët.

Siç shikruan BBC, incidentet për të cilat ankohet Kina ndodhën më 1 korrik dhe 21 tetor. Të pakën sipas një dokumenti të dorëzuar nga Kina këtë muaj në Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Çështjet e Hapësirës së Jashtme.

“Për arsye sigurie, Stacioni Hapësinor i Kinës zbatoi kontrollin parandalues ​​të shmangies së përplasjeve.”- tha Pekini në dokumentin e publikuar në faqen e internetit të agjencisë.

SpaceX nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për komente nga mediet.

Pasi ankesa u bë publike, Musk, Starlink dhe SHBA u kritikuan rëndë në platformën e mikroblogimit “Weibo” të Kinës.

Një përdorues i këtij rrjeti social i përshkroi satelitët e Starlink si “vetëm një grumbull mbeturinash hapësinore”.

Të tjerë thanë se satelitët janë “armë amerikane e luftës hapësinore” dhe “Musk është një armë e re e krijuar nga qeveria dhe ushtria amerikane”.

Kina akuzoi gjithashtu SHBA-në se po i vë në rrezik astronautët duke injoruar detyrimet sipas traktateve të hapësirës së jashtme.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Zhao Lijian tha se Kina po i kërkonte SHBA-së të vepronte me përgjegjësi.