Vendosni fjalën kyçe....

Lista me pagat, Rama: Përpjekje për të krijuar destabilitet, mund të mos jetë e fundit nga ajo që dëgjojmë nga “Foltoret”


Pas publikimit të mbi 637 mijë pagave të shqiptarëve, kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për mediat ku ka kërkuar ndjesë për këtë që ka ndodhur ndërsa i ka bërë thirrje Prokurorisë të hetojë.

“Dua t’ju kërkoj një ndjesë të gjithëve që janë shqetësuar me plot të drejtë për këtë ndërhyrje në këtëaspekt të jetës së tyre private dhe dua ta nënvizoj qysh në fillim se kjo është një ngjarje e cila meriton të hetohet imtësisht. Uroj, shpresoj dhe i bëj thirrje organeve ligjzbatuese që ta kryejnë këtë hetim me të gjithë kapacitetetet e tyre dhe nga ana tjetër dua të ndaj me publikun se në këndvështrimin tim nuk është e vështirë të shohësh se këtu ka një qëllim jo të vështirë për t’u kuptuar, për të krijuar konfuzion dhe për të nxitur destabilitet në një përpjekje që s’është e para dhe duke patur parasysh deklaratat e foltoreve të Kuvendeve e AntiKuvendeve, mund të mos jetë e fundit.

Prandaj thirrja ime për Prokurorinë është të hetojë, duke kërkuar që të përgjigjen jo vetëm të gjithë inspektorët e Tatimeve të cilët kanë akses në sektorin e pagave për arsye të punës, ata që punojnë në këtë sistem apo të tjerë që mund të jenë larguar nga ky sistem në periudhën nga të dhënat e nxjerra deri më sot por edhe ata që të larguar nga Foltoret paralajmërojnë.

Së dyti dëshiroj të sqaroj se këtu kemi të bëjmë me një ndërhyrje e cila duhet hetuar deri në fund për prejardhjen e saj por nga analizat paraprake ngjan më tepër si një ndërhyrje nga infiltrimi i brendshëm dhe jo në formën e një infiltrimi të jashtëm në formën e një sulmi kibernetik.”– deklaroi Rama.