Vendosni fjalën kyçe....

Organizata e mjekëve amerikanë që janë kundër vaksinave zotohet të hapë klinikën e saj


Organizata e Mjekëve të Amerikës (AFLDS), e cila kundërshton vaksinimin dhe masat e tjera të qeverisë për të frenuar përhapjen e Covid-19, ka premtuar të hapë klinikat e veta, duke ftuar stafin mjekësor dhe farmacistët të bashkohen.

AFLDS dhe kompanitë e lidhura me të janë aktualisht nën hetim nga Kongresi, ndërsa bordi mjekësor i Kalifornisë po kërkon themeluesen e organizatës së krahut të djathtë, Simone Gold, pas thirrjeve në rritje për t’i hequr licencën e saj në shtet.

Megjithatë, i gjithë presioni dhe problemet ligjore nuk duket se kanë ndikuar në planet e grupit për të zgjeruar më tej operacionet e tij në SHBA.

“AFLDS po hap klinikën e saj të parë mjekësore në muajt e ardhshëm, me shumë të tjera të planifikuara menjëherë më pas,” tha Gold në një buletin, i cili u shpërnda mes mbështetësve javën e kaluar. Vendndodhja e klinikës së parë dhe data e hapjes së saj nuk janë përmendur në email.

Ajo përsëriti pretendimin se punonjësve mjekësorë amerikanë po “u hiqen të drejtat nga aktorët e korruptuar të shtetit dhe qeverisë” gjatë pandemisë.

Gold ishte në mesin e mbështetësve të Donald Trump që sulmuan Kapitolin më 6 janar dhe tani përballet me disa akuza për ato ngjarje. Mjekja e urgjencës, e kthyer në figurë politike, ka rreth 380,000 ndjekës në Twitter.

Llogaria e saj dhe faqja AFLDS me mbi 200,000 ndjekës po përdoren nga grupi për të shpërndarë video dhe materiale të tjera në lidhje me rreziqet e supozuara të vaksinimit dhe kufizimet e koronavirusit.